Kremlini thotë se rrëzimi i aeroplanit të Prigozhinit mund të jetë shkaktuar qëllimisht
Kremlini tha të mërkurën se hetimi për rrëzimin e aeroplanit që e la të vdekur shefin e grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, e përfshin mundësinë që rasti është shkaktuar qëllimisht. Kjo ishte hera e parë që Moska pranoi haptazi që vdekja e Prigozhinit mund të ketë qenë vrasje.
“Është e qartë se versione të ndryshme janë duke u shqyrtuar, përfshirë versionin – e dini se për çfarë po flasim – le të themi, të një mizorie të qëllimshme”- tha para gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Le t’i presim rezultatet e hetimit tonë rus”- shtoi zëdhënësi i Kremlinit, raporton agjencia “Reuters”.
Agjencia braziliane për hetimin e aksidenteve ajrore i ka thënë agjencisë “Reuters” se Rusia e ka informuar atë që nuk do ta hetojë rrëzimin e aeroplanit të prodhuesit “Embraer” sipas rregullave ndërkombëtare “për momentin”.
Kur u pyet për këtë raportim, Peskovi tha: “Para së gjithash, hetimi është në zhvillim e sipër, Komiteti Hetues (i Rusisë) është i angazhuar në këtë. Në këtë rast, nuk mund të flitet për ndonjë aspekt ndërkombëtar.”
