Kremlini thotë se Putini nuk do të marrë pjesë në funeralin e Prigozhinit
Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka plane që të marrë pjesë në funeralin e ish-shefit të grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, tha të martën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Zyrtari rus u tha gazetarëve se Kremlini nuk dinte për hollësitë e planifikuara të funeralit, duke thënë se kjo ishte çështje për familjen, raporton agjencia “Reuters”.
Komiteti Hetues i Rusisë konfirmoi të dielën se Prigozhini ishte në mesin e dhjetë personave të vdekur nga rrëzimi i aeroplanit të mërkurën. Ky institucion tha në një deklaratë se pas testimeve forenzike, të gjithë dhjetë trupat janë identifikuar.
Kremlini ka mohuar se e ka vrarë Prigozhinin, duke i quajtur “rrenë e plotë” vlerësimet e inteligjencës perëndimore për përfshirjen e mundshme të Putinit në rrëzimin e aeroplanit.
Prigozhini kishte refuzuar që mercenarët e tij t’i nënshtroheshin kontrollit të drejtpërdrejtë shtetëror pavarësisht nga një kërkesë e drejtpërdrejtë e Putinit gjatë një takimi në Kremlin në qershor.
Kryengritja e armatosur në qershor kishte ndodhur disa ditë para skadimit të afatit që do ta detyronte grupin për të nënshkruar kontrata ushtarake.
