Kremlini thotë se Putini është i hapur për çfarëdo kontakti për “problemin e Ukrainës”
Kremlini tha të premten se presidenti rus, Vladimir Putin, është ende i hapur për çfarëdo kontakti për të diskutuar një zgjidhje për konfliktin në Ukrainë, raportuan agjencitë ruse të lajmeve.
Komentet erdhën pak para një vizite të udhëheqësve afrikanë për të paraqitur një nismë të re për paqe para Putinit, gati 16 muaj pasi ai e nisi pushtimin e Ukrainës nga Rusia, raporton agjencia “Reuters”.
“Presidenti Putin ka qenë dhe është i hapur për çfarëdo kontakti për të diskutuar skenarë të mundshëm për zgjidhjen e problemit ukrainas”- citohet nga agjencia “Interfax” të ketë thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Rusia për një kohë të gjatë ka thënë se është e hapur për bisedime, por kërkon që Ukraina t’i njohë ato që i quan “realitete të reja” në terren, ku forcat ruse e kanë nën kontroll rreth 18 për qind të territorit ukrainas.
Federata Ruse pretendoi në vjeshtën e vitit të kaluar se kishte aneksuar katër rajone në lindje dhe në jug të Ukrainës si dhe Gadishullin e Krimesë, të cilin e kishte marrë nën kontroll më 2014.
Në anën tjetër, Ukraina thotë se plani i saj i paqes, me të cilin parashihet tërheqja e trupave ruse nga tërë territori i Ukrainës, duhet të jetë bazë për çfarëdo zgjidhjeje për luftën.
Delegacioni afrikan pritet të zhvillojë bisedime të premten me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, para se të takohet të shtunën në Shën Petersburg me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

