Kremlini thotë se plani i NATO-s për forcimin e mbrojtjes ajrore është konfrontues - NACIONALE

Kremlini thotë se plani i NATO-s për forcimin e mbrojtjes ajrore është konfrontues

6 ditë më parë

nga NACIONALE

Kremlini tha të hënën se plani i NATO-s për rritje të madhe të kapaciteteve për mbrojtje ajrore e raketore është konfrontues dhe do t’u kushtojë taksapaguesve evropianë, të cilëve po u kërkohet që të paguajnë për të shmangur një rrezik që nuk ekziston.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili po u bën thirrje vendeve anëtare që shpenzimet e mbrojtjes t’i çojnë në 3,5 për qind të prodhimit vendës bruto dhe të zotohen për 1,5 për qind shtesë për shpenzime më të gjera që ndërlidhen me sigurinë, pritej të mbante një fjalim të hënën në Londër, ku do të thoshte se aleancës i nevojitet 400 për qind rritje e mbrojtjes ajrore dhe raketore, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kur u pyet për komentet e planifikuara të Ruttes rreth mbrojtjes ajrore e raketore, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, para gazetarëve tha: “(NATO-ja) nuk është instrument për mbajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në kontinent. Ajo është një instrument i krijuar për konfrontim dhe deri më tani e ka mbajtur të fshehur natyrën e saj të vërtetë. Tani ajo po e shfaq natyrën e saj të vërtetë.”

Më tej, Peskovi tha se janë taksapaguesit evropianë ata që do të vuajnë nga ky plan.

“Taksapaguesit evropianë do t’i shpenzojnë paratë e tyre për të shmangur njëfarë rreziku për të cilin ata thonë se vjen nga shteti ynë, por ky është një rrezik shumë jetëshkurtër” – shtoi zëdhënësi i Kremlinit.

Kur luftimet në Ukrainë nuk po qetësohen pavarësisht nga thirrjet për armëpushim, shtetet evropiane janë nën presion për t’i rritur shpenzimet e mbrojtjes, pasi Trumpi sinjalizoi ndryshim të politikave, duke e shtyrë rajonin që ta mbrojë më mirë veten./Nacionale

Lajme të ngjashme