Kremlini konfirmon se bisedimet Rusi – Ukrainë rinisin këtë javë
Një rund i ri i bisedimeve të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara për përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë pritet të nisë këtë javë pas një shtyrjeje të shkurtër, tha të hënën një zyrtar i lartë i Kremlinit. Bisedimet po mbahen në kohën e luftimeve të vazhdueshme në vijën e frontit dhe sulmeve vdekjeprurëse me rreze të gjatë në zonat larg vijave të frontit.
Bisedimet trepalëshe do të mbahen të mërkurën dhe të enjten në Abu-Dabu, ku muajin e kaluar u mbajt një takim, konfirmoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të dielën se ai do të dërgonte një delegacion në këtë takim, i cili fillimisht ishte planifikuar për fundjavë, por u shty për shkak të atyre që Peskovi i quaji mospërputhje në orare.
Zëdhënësi i Kremlinit i përshkroi bisedimet si “shumë komplekse”. “Për disa çështje, ne qartazi jemi afruar, sepse ka pasur diskutime, bisedime, dhe në disa çështje është më lehtë që të gjenden qëndrime të përbashkëta. Ka çështje për të cilat është më vështirë të gjenden qëndrime të përbashkëta” – tha ai.
Emisari presidencial rus, Kirill Dmitriev, në fundjavë ishte në Miami të Shteteve të Bashkuara për bisedime me zyrtarë amerikanë, por Peskovi refuzoi që të jepte hollësi rreth takimit.
Një pikë kyçe e ngërçit është çështja nëse Rusia do ta mbajë territorin ukrainas që është pushtuar deri më tani nga ushtria e saj. Moska po kërkon madje edhe toka ukrainase që nuk ka arritur t’i pushtojë në rajonet lindore të Ukrainës.
Dronët e raketat ruse kanë vazhduar që të bien në zona civile, duke vrarë 12 minatorë në një autobus të dielën në sulmin më të ri masiv ajror. Nga sulmet është goditur edhe rrjetin energjetik, duke lënë njerëz pa ngrohje, drita e ujë në një dimër të acartë./Nacionale