Kremlini jep hollësi: Trumpi e Putini fillimisht në takim vetëm, pastaj me delegacione - NACIONALE

Kremlini jep hollësi: Trumpi e Putini fillimisht në takim vetëm, pastaj me delegacione

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Kremlini ka njoftuar se presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, Donald Trump e Vladimir Putin, do të mbajnë një konferencë të përbashkët për gazetarë pas takimit të tyre në Alaskë të premten.

Ndihmësi i presidentit rus, Yuri Ushakov, gjithashtu konfirmoi se dy presidentët do të mbajnë një takim një me një, me përkthyes, ndërsa nga pesë anëtarë të delegacioneve prej secilës palë do të bëhen pjesë e takimit më vonë, raporton televizioni BBC.

Takimi do të fillojë në orën 11:30 sipas kohës lokale (21:30 në Kosovë) dhe kohëzgjatja e bisedimeve do të varet nga ajo se si zhvillohet diskutimi, tha Ushakovi.

Një konferencë e përbashkët për shtyp do të mbahet në fund të samitit.

Ukraina do të jetë tema kryesore në takim, por presidentët do të flasin edhe për çështje të tjera – si bashkëpunimi mes dy shteteve dhe tregtia.

Ish-drejtori i agjencisë britanike për inteligjencë të jashtme MI6, Alex Younger, tha se ai nuk ka parë “absolutisht asgjë” që sugjeron se Putinit i kanë ndërruar ambiciet në Ukrainë.

Sipas tij, rezultatet e mundshme nga takimi mes Trumpit e Putinit janë “të hapura në mënyrë të gjerë”, por shtoi se nuk ka pasur ndonjë shenjë që tregon se “Putini është në ndonjë mënyrë i përgatitur për ta ndryshuar drejtimin dhe të tërhiqet nga qëllimi i tij për nënshtrim të plotë”.

Younger tha më tej se është “vështirë të jesh optimist” për samitin e Alaskës dhe është me rëndësi që Ukraina të jetë “në dhomë”./Nacionale

Lajme të ngjashme