Kostoja e luftës: Rusia e dyfishon shifrën e planifikuar për shpenzime ushtarake
Rusia e ka dyfishuar shifrën e shënjestruar për shpenzime në fushën e mbrojtjes për vitin 2023, duke e çuar në mbi 100 miliardë dollarë, që është një e treta e të gjitha shpenzimeve publike, sipas një dokumenti qeveritar të analizuar nga agjencia “Reuters”.
Sipas të dhënave, vetëm në gjysmën e parë të vitit 2023, Rusia shpenzoi 12 për qind ose 600 miliardë rubla më shumë në fushën e mbrojtjes se 4,98 trilionë rublat që ishin planifikuar fillimisht për këtë vit, raporton agjencia “Reuters”.
Shpenzimet në fushën e mbrojtjes gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti kanë qenë 5,59 trilionë rubla, 37,3 për qind e totalit prej 14,97 trilionë rublash të shpenzuara në këtë periudhë, sipas të dhënave. Në planin buxhetor të Rusisë planifikohet që vetëm 17,1 për qind e fondeve të përgjithshme të shpenzohen për “Mbrojtje Kombëtare”.
Qeveria ruse dhe Ministria e Financave nuk iu përgjigjën kërkesave për t’i komentuar këta numra.
Rritja e kostos së luftës po e mbështet rimëkëmbjen modeste të ekonomisë ruse këtë vit përmes prodhimit më të shumtë industrial, por tashmë i ka çuar financat buxhetore në deficit prej rreth 28 miliardë dollarësh. Në këtë gjendje ka ndikuar edhe rënia e të hyrave nga eksporti.
Shpenzimet më të larta në fushën e mbrojtjes, përderisa lufta në Ukrainë po vazhdon, mund ta thellojnë edhe më tej deficitin, ndërsa shtimi i prodhimit mund t’i dëmtojë sektorët e tjerë dhe t’i përjashtojë investimet private.
Sipas përllogaritjeve të agjencisë “Reuters”, të mbështetura në dokument, Rusia ka shpenzuar 19,2 për qind në fushën e mbrojtjes gjatë gjashtë muajve të parë nga të gjitha shpenzimet buxhetore të planifikuara fillimit për tërë vitin.
Në të dhënat publike më të reja që janë të qasshme, thuhet se Rusia ka shpenzuar dy trilionë rubla për ushtrinë në janar dhe shkurt. Në gjysmën e parë të këtij viti, shpenzimet buxhetore ishin për 2,44 trilionë rubla më të larta se gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar. Sipas dokumentit, 97,1 për qind e kësaj shume shtesë është ndarë për sektorin e mbrojtjes.
