Rritje e madhe e shpenzimeve ushtarake në botë: Arabia Saudite më shumë se Franca e Spanja së bashku
Shpenzimet ushtarake në Evropë u rritën me shpejtësi rekorde më 2022, duke arritur një nivel që nuk është parë që nga Lufta e Ftohtë, sipas hulumtuesve të sigurisë globale.
Pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, shtimi i shpenzimeve ushtarake në Evropë ndikoi që shpenzimet globale në këtë fushë të shënonin rekord për të tetin vit radhazi dhe shkuan në 2,24 trilionë dollarë ose 2,2 për qind e prodhimit vendës bruto të botës, sipas Institutit Ndërkombëtar të Stokholmit për Hulumtimin e Paqes.
“Kjo po shkaktohet nga lufta në Ukrainë, e cila po e shkakton rritjen e shpenzimeve të buxheteve evropiane, por edhe tensionet e pazgjidhura dhe duke u përkeqësuar në Azinë Lindore mes ShBA-së dhe Kinës”- tha hulumtuesi Nan Tian, njëri nga autorët e hulumtimit.
Evropa shpenzoi 13 për qind më shumë për ushtritë e veta më 2022 se më 2021, në vitin e shënuar nga pushtimi rus i Ukrainës. Kjo është rritja më e madhe e shpenzimeve në 30 vitet e fundit.
Ukraina i shtatëfishoi shpenzimet ushtarake dhe i çoi në 44 miliardë dollarë. Ky shtet ka përfituar edhe miliarda dollarë armë nga vendet e tjera, sipas këtij instituti. Në anën tjetër, Rusia i rriti shpenzimet për 9,2 për qind.
Shpenzimet ushtarake në Evropë, të cilat shkuan në gjithsej 480 miliardë dollarë më 2022, tashmë janë rritur për një të tretën në dekadën e fundit dhe kjo frymë pritet të vazhdojë dhe të përshpejtohet gjatë dekadës së ardhshme.
Hulumtuesi Tian tha se shtimi i shpenzimeve ushtarake në Evropë mund të bëhet në nivel të ngjashëm për disa vjet si më 2022.
Vetëm Shtetet e Bashkuara përbëjnë 39 për qind të shpenzimeve ushtarake globale. Së bashku me Kinën, që është në vendin e dytë me 13 për qind, këto dy vende përbëjnë më shumë se gjysmën e shpenzimeve ushtarake globale.
Vendi i tretë, Rusia, ndodhet shumë më larg dy shteteve të para, me vetëm 3,9 për qind. E katërta është India me 3,6 për qind të shpenzimeve globale, ndërsa e pesta Arabia Saudite me 3,3 për qind ose 75 miliardë dollarë, me rritje të shpenzimeve prej 16 për qind. Arabia Saudite ka shpenzuar më shumë se Franca e Spanja së bashku (73,9 miliardë dollarë).
Në Evropë, më së shumti ka shpenzuar Britania e Madhe, duke e zënë vendin e gjashtë në botë. Pas saj radhiten Gjermania dhe Franca.