Koreja Veriore mbyll disa ambasada të saj në botë, Koreja Jugore beson se e di arsyen
Koreja Veriore pritet të mbyllë më shumë se dhjetë ambasada të saj në botë, përfshirë ato në Spanjë e Hong-Kong si dhe disa në Afrikë, sipas raportimeve të mediave dhe analistëve. Këto masa mund ta sjellin mbylljen e rreth 25 për qind të misioneve diplomatike të Pjoniangut në botë.
Ministria e Unifikimit e Koresë Jugore tha të martën se mbyllja e misioneve diplomatike të fqinjit verior është shenjë se vendi i izoluar po ballafaqohet me vështirësi për të fituar të holla në botë për shkak të sanksioneve ndërkombëtare, raporton agjencia “Reuters”.
Të hënën, agjencia shtetërore e lajmeve në Korenë e Veriut, KCNA, tha se ambasadorët e këtij vendi bënë vizita lamtumirëse tek udhëheqësit e Angolës dhe Ugandës javën e kaluar, ndërsa mediat lokale në këto shtete afrikane raportuan për mbylljen e ambasadave të Koresë Veriore atje.
Angola dhe Uganda kanë ndërtuar marrëdhënie miqësore me Korenë Veriore që nga vitet e shtatëdhjeta, duke mbajtur bashkëpunim ushtarak e duke i ofruar burime të rralla të valutës së huaj, si projektet për ndërtimin e statujave.
Më shumë se dhjetë misione diplomatike mund të mbyllen, me gjasë për shkak të sanksioneve ndërkombëtare, frymës së tërheqjes së Pjongiangut nga skena globale dhe dobësimit të mundshëm të ekonomisë së vendit, tha Chad O’Carroll, themelues i uebfaqes “NK Pro”, që e ka në fokus këtë shtet.
Ministria e Unifikimit e Koresë Jugore, që merret me çështjet ndërkoreane, tha se kjo tërheqje e pasqyron ndikimin e sanksioneve ndërkombëtare që e kanë për qëllim kufizimin e fondeve për programet raketore e bërthamore të Koresë Veriore.
Koreja Veriore ka marrëdhënie zyrtare me 159 shtete, por ka vetëm 53 misione diplomatike jashtë vendit, përfshirë tri konsullata dhe tri zyra përfaqësimi, deri para tërheqjes nga Angola dhe Uganda, sipas kësaj ministrie.
Agjencia e lajmeve në Korenë Jugore, “Yonhap”, ka raportuar se Koreja Veriore do ta mbyllë edhe ambasadën e saj në Spanjë dhe me çështjet me këtë shtet do të merret ambasada e saj në Itali.
