Korea Veriore i këshillon të prekurit nga Covid-19 që të pinë çaj shelgjesh
Gjatë një vizite në një barnatore gjatë natës, udhëheqësi i Koresë Veriore, Kim Jong Un, me dy maska njëra mbi tjetrën në fytyrë, e vajtoi shpërndarjen e ngadalshme të ilaçeve. Gjeneralët e ushtrisë së vendit të tij kanë vendosur në karantinë qindra mijëra njerëz të që dyshohet se janë infektuar me koronavirus dhe u kanë bërë thirrje njerëzve me simptoma të lehta që të pijnë çaj shelgjesh ose lulemustaku.
Associated Press
Pavarësisht asaj që propaganda e Koresë Veriore e cilëson si përpjekje maksimale, frika është e dukshme te qytetarët, sipas atyre që kanë ikur nga vendi dhe që janë vendosur në Korenë Jugore. Disa vëzhgues të jashtëm brengosen se përhapja e virusit mund të përkeqësohet shumë, sepse një pjesë e madhe e popullsisë së varfër e të pavaksinuar nuk ka kujdes të mjaftueshëm spitalor dhe ka vështirësi për t’i siguruar edhe ilaçet e thjeshta.
“Banorët e Koresë Veriore njohin shumë njerëz përreth botës që kanë vdekur nga Covid-19, prandaj kanë frikë se disa prej tyre mund të vdesin, gjithashtu”, tha dezertorja Kang Mi-jin, duke i përmendur bisedat me telefon me kontaktet që ka në qytetin e Koresë Veriore, Hyesan. Ajo tha se njerëzit, që kanë mundësi financiare, po blejnë ilaçe tradicionale për t’u ballafaquar me problemet shëndetësore.
Që nga koha kur e pranoi atë që e quajti përhapje të parë brenda vendit të sëmundjes Covid-19 një javë më parë, Koreja Veriore ka luftuar për ta trajtuar krizën shëndetësore në rritje, e cila e ka shtuar ankthin e publikut për virusin të cilin autoritetet më parë pretendonin se e kanë mbajtur jashtë vendit.

Reagimi i vendit kundër pandemisë duket se është kryesisht i përqendruar në izolimin e pacientëve të dyshimtë. Kjo mund të jetë e tëra që shteti vërtet mund të bëjë, sepse i mungojnë vaksinat, pilulat kundër viruseve, njësitet për kujdes intensiv në spitale dhe asetet e tjera mjekësore, të cilat ishin ndihmë e madhe për mbijetesën e miliona njerëzve të sëmurë në shtete të tjera.
Autoritetet e Koresë Veriore thanë të enjten se temperatura dhe ethet, që përhapen shpejt, ka mbytur 63 persona dhe ka sëmurë rreth 2 milionë të tjerë nga fundi i prillit, ndërsa rreth 740.000 njerëz ndodhen në karantinë. Më herët këtë javë, Koreja Veriore tha se numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus është 168 pavarësisht rritjes së numrit të rasteve me ethe e temperaturë. Shumë ekspertë të huaj dyshojnë për këtë shifër dhe besojnë se shkalla e përhapjes së virusit është duke u minimizuar për t’i parandaluar trazirat publike, që do të mund ta dëmtonin pushtetin e udhëheqësit të shtetit.
Mediet shtetërore kanë raportuar se një milion punëtorë publikë janë mobilizuar për t’i identifikuar pacientët e dyshuar. Kimi gjithashtu dha urdhër për angazhimin e mjekëve ushtarakë për ta përkrahur shpërndarjen e ilaçeve nëpër barnatore, pak para se t’i vizitonte barnatoret në Pyongyang të dielën në agim./Përktheu: Nacionale