Koreja Jugore shpreson se linjat e reja të trenit të shpejtë do ta shtojnë numrin e lindjeve
Koreja Jugore do të lëshojë në funksion një shërbim të trenave të shpejtë që do ta zvogëlojë kohën e udhëtimit mes pjesës qendrore të kryeqytetit Seul dhe periferisë së tij, projekt për të cilin zyrtarët shpresojnë se do të inkurajojë më shumë të rinj që ta shqyrtojnë banimin jashtë qytetit dhe të fillojnë që të kenë fëmijë.
Koreja Jugore e ka shkallën më të ulët të lindjeve në botë dhe rinia e saj i ka përmendur shpesh udhëtimet e gjata për në punë e strehimin e dendur e të shtrenjtë në kryeqytet, ku jeton rreth gjysma e popullsisë së vendit, si arsye kryesore për të mos u martuar dhe për të mos nisur familje, raporton agjencia “Reuters”.
Shkalla e lindjeve në Seul është edhe më e ulët se mesatarja kombëtare dhe Qeveria është munduar që ta shtojë numrin e foshnjave përmes subvencioneve, por ka shënuar pak sukses.
Zyrtarët tani po e varin shpresën te projekti i hekurudhës nëntokësore “Treni i Madh eXpress (GTX)” që do të kushtojë 99,5 miliardë dollarë dhe që nga viti 2035 do të ofrojë gjashtë linja që e lidhin kryeqytetin me zonat periferike.
Të premten, presidenti Yoon Suk Yeol inauguroi një segment të linjës së parë, e cila do ta zvogëlojë kohën e udhëtimit nga Suseo në kryeqytet drejt qytetit satelit, Dongtan, në 19 minuta, nga 80 minuta sa është tani përmes udhëtimit me autobus.
Koha më e shkurtër e udhëtimit nga shtëpia në punë dhe anasjelltas “do t’u mundësojë njerëzve që të kalojnë më shumë kohë me familjen e tyre në mëngjese e mbrëmje”, sipas presidentit.
Linja pritet që të lëshohet në shërbim të shtunën dhe, porsa të jetë plotësisht operacionale, GTX-ja do të jetë njëri nga sistemet më të shpejta të hekurudhave nëntokësore në botë, ku trenat do të lëvizin me shpejtësi deri në 180 kilometra në orë, thanë zyrtarët.
Pasja e një shtëpie në Kore Jugore është e kushtueshme. Çmimi mesatar e arriti kulmin në qershor të vitit 2021, pasi ishte rritur për 45 për qind gjatë pesë viteve paraprake. Seuli është posaçërisht i shtrenjtë.