Koreja e Veriut ua ndalon hyrjen turistëve të huaj në resortin e ri bregdetar
Koreja e Veriut do t’ua ndalojë hyrjen turistëve të huaj në një resort turistik bregdetar të hapur rishtazi. Udhëheqësi i vendit të largët, Kim Jong Un, e kishte quajtur projektin “njëri nga sukseset më të mëdha këtë vit”.
Uebfaqja “DPR Korea Tour”, e cila menaxhohet nga autoritetet e turizmit në Korenë e Veriut, tha në një njoftim të publikuar të premten se kompleksi turistik “Wonsan-Kalma” “përkohësisht nuk do të pranojë turistë të huaj”. Në njoftim nuk u dhanë hollësi të mëtejme, përfshirë atë se pse po merrej kjo masë dhe sa do të zgjaste, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Koreja e Veriut thotë se në kompleksin e ri ka vend për gati 20 mijë mysafirë. Resorti u hap për turistët vendës më 1 korrik para se të priste një grup të vogël të turistëve rusë javën e kaluar. Vëzhguesit presin që Koreja e Veriut ta hapë kompleksin edhe për turistët kinezë, ndërsa kryesisht t’ua ndalojë hyrjen në të turistëve të tjerë ndërkombëtarë.
Njoftimi për mospranimin e turistëve të huaj erdhi pas vizitës në të nga ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i cili u takua për bisedime fundjavën e kaluar me Kimin dhe me ministren e Jashtme të Koresë së Veriut, Choe Son Hui.

Koreja e Veriut dhe Rusia e kanë zgjeruar dukshëm bashkëpunimin në rrafshin ushtarak dhe në fusha të tjera viteve të fundit. Raportohet se Koreja e Veriut i ka dhuruar armë dhe ka dërguar ushtarë në Rusi për ta mbështetur Moskën në luftën kundër Ukrainës. Gjatë takimit me homologen verikoreane, Lavrovi premtoi se do të ndërmarrë hapa për t’i mbështetur udhëtimet e rusëve në zonën turistike.
Megjithatë, ekspertët thonë se Koreja e Veriut me gjasë vendosi që t’ua ndalonte hyrjen në kompleks turistëve të huaj për shkak të një artikulli gazetaresk nga një reporter rus, i cili kishte udhëtuar me Lavrovin. Në artikull lihej të kuptohej se koreanoveriorët në kompleksin turistik dukeshin të mobilizuar nga autoritetet, e nuk ishin turistë të vërtetë.
“Qeveria koreanoveriore besohet se ka përcaktuar që do të ballafaqohej me disa pasoja negative, kur ta hapë komplesin për vizitorë të huaj” – tha Oh Gyeong-seob, analist në Institutin e Koresë për Bashkim Kombëtar./Nacionale