Korea e Veriut lëshon 2 raketa balistike, Seuli thotë se një test bërthamor është afër
Të mërkurën, vetëm një ditë përpara se zëvendëspresidentja e ShBA-së, Kamala Harris të mbërrijë në Korenë e Jugut, Koreja e Veriut ka lëshuar dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në drejtim të Detit Lindor.
Sipas Shefit të Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut, ushtria e Koresë së Jugut ka zbuluar dy raketa balistike me rreze të shkurtër të lëshuara nga zona Sunan në Phenian në Detin Lindor.
Ky është lëshimi i dytë i raketës balistike në një javë pasi Korea e Veriut testoi një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi nga qyteti perëndimor i Taechon, të dielën.

Shefat e Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut dënuan menjëherë dhe fuqishëm lëshimin e raketës duke e quajtur atë një "provokim të rëndë" që minon paqen dhe sigurinë në Gadishullin Korean si dhe komunitetin ndërkombëtar.
Deri më tani, gjatë vitit 2022 Pheniani ka lëshuar 18 raketa balistike së bashku me dy raketa lundrimi.
“Akti i provokimit të Koresë së Veriut do të intensifikojë aftësitë parandaluese dhe reagimit të Koresë së Jugut-ShBA-së dhe aleatëve dhe përkeqësojë izolimin e Koresë së Veriut nga komuniteti ndërkombëtar”, tha në një deklaratë shefi i Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut.
Ai shtoi se, kjo “është një shkelje e qartë e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ne i bëjmë thirrje Koresë së Veriut të ndalojë menjëherë.”
Ligjvënësit e Koresë së Jugut u thanë gazetarëve se ata besojnë se Koreja e Veriut ka përgatitur një vend testimi bërthamor nëntokësor dhe se zyrtarët e Koresë së Jugut besojnë se fqinji i tyre në veri do të kryejë testin e shtatë bërthamor diku midis 16 tetorit dhe 7 nëntorit, megjithëse këto raporte nuk janë të konfirmuara.
