Korea e Jugut i bën thirrje Koresë së Veriut të denuklearizohet
Në ceremoninë e tij të inaugurimit, presidenti Yoon Suk-yeol ka propozuar një plan ekonomik "të guximshëm" për të ndihmuar Korenë e Veriut, nëse ajo heq dorë nga programi i saj bërthamor.
Lideri konservator fitoi zgjedhjet presidenciale në mars me një diferencë shumë të vogël, kundër kandidatit të majtë-liberal të Partisë Demokratike në pushtet, Lee Jae Myung. Ai do të pasojë Moon Jae In dhe do të shërbejë një mandat pesë-vjeçar.
Sipas Deutche Welle, 61-vjeçari përballet me dy probleme të mëdha si lider i Koresë së Jugut: një Kore e Veriut luftarake që teston armë të reja dhe inflacioni që po kërcënon të dëmtojë rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia.
Çfarë tha Yoon për Korenë e Veriut?
Yoon bëri një deklaratë duke treguar gatishmërinë për dialog me Korenë e Veriut gjatë ceremonisë, edhe pse Pheniani ka rritur kërcënimet për të përshpejtuar zhvillimin e tij bërthamor dhe raketor.
“Ndërsa programet e armëve bërthamore të Koresë së Veriut janë një kërcënim jo vetëm për sigurinë tonë dhe atë të Azisë Verilindore, dera e dialogut do të mbetet e hapur në mënyrë që ne të mund ta zgjidhim në mënyrë paqësore këtë kërcënim”, tha ai.
Ai shtoi gjithashtu se ishte i përgatitur të paraqiste një "plan të guximshëm" për të forcuar ekonominë e Koresë së Veriut, nëse ajo bie dakord për denuklearizimin.
Kush është Yoon Suk-yeol?
Një ish-prokuror i përgjithshëm, Yoon është i ri në politikë. Ai fitoi popullaritet për faktin se ishte prokuror në shumë raste të korrupsionit të profilit të lartë. Ai luajti një rol kyç në dënimin e ish-presidentes Park Geun-hye për shpërdorim të pushtetit.
Ai gjithashtu paditi një ndihmës të lartë të presidentit në largim Moon Jae-in për mashtrim dhe ryshfet në vitin 2019.
Yoon premtoi të luftojë korrupsionin dhe të krijojë një fushë loje të barabartë ekonomike, ndërsa vendi po lufton me inflacionin.