Konfliktet e armatosura, kërcënimi më urgjent për botën më 2025, thonë udhëheqësit botërorë
Udhëheqësit botërorë kanë thënë se konfliktet e armatosura në përshkallëzim e sipër janë kërcënimi më urgjent në vitin 2025, por urgjenca klimatike pritet ta shkaktojë shqetësimin më të madh gjatë dekadës së ardhshme, sipas Forumit Ekonomik Botëror.
Para tubimit vjetor në resortin zviceran të skijimit në Davos javën e ardhshme, Forumi Ekonomik Botëror pyeti më shumë se 900 udhëheqës nga biznesi, politika dhe fusha akademike për rreziqet që i shqetësojnë më së shumti ata, raporton gazeta “The Guardian”.
Duke shikuar drejt 12 muajve në ardhje, 23 për qind e pjesëmarrësve në anketë thanë se i frikësohen “konfliktit të armatosur me bazë në shtet”, përderisa Rusia po vazhdon që ta zhvillojë luftën kundër Ukrainës dhe nj varg i përleshjeve të tjera vdekjeprurëse nuk po ndalen, përfshirë ato në Gaza e Sudan.
Kur zjarret shkatërruese po vazhdojnë të përhapen në Los Angeles të ShBA-së, rreziku i dytë më i përmendur për vitin 2025 ishin “ngjarjet e motit ekstrem”, të cilat u zgjodhën nga 14 për qind e pjesëmarrësve në anketë.
Gjatë tërë vitit të kaluar, një varg vërshimesh, thatësirash e zjarresh e nënvizuan ndikimin e krizës klimatike ndaj modeleve të motit. Sipas shkencëtarëve, ngrohja globale i bën më të mundshme këto ngjarje dhe, në shumë raste, edhe më ekstreme.
Kur nga udhëheqësit globalë u kërkua që të shikonin më larg në të ardhmen dhe t’i identifikonin rreziqet më të mëdha me të cilat ballafaqohet bota gjatë dekadës së ardhshme, katër prej dhjetë kryesoreve ishin të lidhura me krizën klimatike.
Ngjarjet e motit ekstrem ishin opsioni që u zgjodh më së shpeshti, i pasur nga humbja e biodiversitetit, “ndryshimet kritike në sistemet e Tokës” dhe mungesa e burimeve natyrore./Nacionale