Koncesionet e Qeverisë s’i bindin bujqit francezë, vazhdojnë protestat
Bujqit francezë e vazhduan vargun e protestave gjithëkombëtare të shtunën, duke argumentuar se masat qeveritare për qetësimin e protestuesve nuk shkojnë mjaftueshëm larg për t’i plotësuar kërkesat e tyre për pagesa e kushte më të mira të jetesës.
Të premten, Qeveria e kryeministrit Gabriel Attal hoqi dorë nga planet për t’i zvogëluar gradualisht subvencionet shtetërore për naftën e blerë nga bujqit dhe njoftoi masa të tjera me qëllim të lehtësimit të barrës financiare e administrative me të cilën ballafaqohen shumë fermerë, raporton agjencia “Reuters”.
Sindikata më e madhe franceze e bujqve, FNSEA, tha se do t’i vazhdonte protestat dhe shumë bujq qëndruan në bllokadat e vendosura në rrugë të rëndësishme e autostrada të shtunën.
“Masat e njoftuara nga Attal-i nuk janë të mjaftueshme, ato nuk do ta ndihmojnë qarkullimin tonë të parave të gatshme”- tha fermerja Natacha Guillemet.
Disa bujq të tjerë e vazhduan kërcënimin se do të vendosnin bllokada në rrugë përreth Parisit.
Protestuesit mbajtën edhe një marshim të qetë në qytezën veriore, Beauvais, për t’i nderuar bujqit që kanë vdekur viteve të fundit. Disa kishin kryer vetëvrasje për shkak të stresit nga kushtet e punës.
Franca është prodhuesja më e madhe bujqësore në Evropë dhe protestat e bujqve francezë vijnë pas veprimeve të ngjashme në shtete të tjera evropiane si Gjermania e Polonia. Shumë protestues kanë thënë se po goditen nga globalizimi dhe konkurrenca e jashtme.