Kompania turke synon që vitin e ardhshëm ta fillojë prodhimin e dronit të ri 15-metërsh, “Kizilelma” - NACIONALE

Kompania turke synon që vitin e ardhshëm ta fillojë prodhimin e dronit të ri 15-metërsh, “Kizilelma”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kompania turke e mbrojtjes, “Baykar”, synon që vitin e ardhshëm ta fillojë prodhimin e një droni të ri, i cili tashmë është duke tërhequr interes ndërkombëtar, tha shefi i saj, Selcuk Bayraktar.

Kjo kompani ka marrë vëmendje ndërkombëtare viteve të fundit falë dronit TB-2, i cili është përdorur në Ukrainë, Azerbajxhan dhe Afrikë Veriore dhe i cili ka qenë sukses i madh i eksportit, duke e vendosur kompaninë në listën e eksportuesve më të mëdhenj të mbrojtjes në Turqi, raporton agjencia “Reuters”.

I quajtur “Kizilelma”, droni e zgjeron gamën e prodhimeve të kompanisë nga dronët e ngadalshëm për sulme tokësore në dronë të shkathët e të shpejtë, të cilët funksionojnë krahas aeroplanëve luftarakë.

“Është i dizajnuar për të qenë mjet luftarak ajër - ajër shumë autonom, nën kompetenca njerëzore, natyrisht”- tha z. Bayraktar, i cili e ka udhëhequr dizajnimin e dronit 15 metra të gjatë.

“Në një kuptim, Kizilelma paraqet një të ardhme të re të tërë për aviacionin luftarak”- shtoi ai.

Kompania “Baykar” planifikon që ta fillojë prodhimin në sasi të vogël vitin e ardhshëm. Fluturimi i parë i dronit të ri u bë në dhjetor dhe këtë muaj nisën testimet fluturuese me dronë të tjerë.

Droni është gati që të kryejë fluturime testuese krahas aeroplanëve me pilotë, ndërsa dislokimi i tij në një anije turke është caktuar për vitin e ardhshëm.

Tashmë kanë filluar kërkesat nga vendet e huaja për dronin e ri, edhe pse aftësitë e tij të specializuara nënkuptojnë që ai mund të dërgohet në më pak tregje eksporti.

Baykar, i cili është i martuar me vajzën e presidentit turk, Rexhep Erdogan, foli në margjinat e një festivali për aviacionin dhe teknologjinë.

Projektet ushtarake të profilit të lartë janë shfaqur në fushatën zgjedhore të Erdoganit dhe z. Bayraktar tha se e sheh dronin e ri si kulmim të një aspirate kombëtare dhe një produkt “me të cilin ne i tregojmë botës se vendi ynë nuk është vetëm lojtar, por edhe bërës i lojës”.

Lajme të ngjashme