Komisioni Evropian propozon masë ndaj Izraelit që do t’i prekte eksporte miliardëshe
Komisioni Evropian të mërkurën e propozoi pezullimin e një marrëveshjeje tregtare me Izraelin që do të prekte eksporte izraelite me vlerë të 5,8 miliardë eurove për shkak të luftës në Gaza, edhe pse kjo masë tani për tani nuk gëzon mbështetje të mjaftueshme në mesin e vendeve të BE-së për t’u miratuar.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, gjithashtu propozoi një pako sanksionesh ndaj dy ministrave izraelitë si dhe kundër kolonëve “të dhunshëm” izraelitë e dhjetë anëtarëve të Hamasit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Dy ministrat ndaj të cilëve u propozuan sanksione janë Itamar Ben-Gvir, ministër i Sigurisë Kombëtare, dhe Bezalel Smotrich, ministër i Financave, tha një zyrtar i Bashkimit Evropian.
BE-ja është partnerja më e madhe tregtare e Izraelit. Sipas të dhënave të Bashkimit Evropian, vlera e tregtisë mes bllokut dhe këtij shteti vitin e kaluar ishte 42,6 milardë euro.
Nëse marrëveshja e tregtisë së lirë pezullohet, Izraeli do të ballafaqohej me taksa të nivelit të njëjtë si shtetet e tjera që nuk kanë pakt tregtie me bllokun evropian.
Në rastin e Izraelit, një masë e tillë do të prekte eksporte me vlerë të afro 5,8 miliardë eurove, duke rezultuar në 227 milionë euro taksa në vit, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i Komisionit Evropian.
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar, tha në rrjetin X se propozimet evropiane janë “moralisht dhe politikisht të shtrembëruara dhe se shpresohet që ato nuk do të miratohen”.
Për pezullimin e marrëveshjeve për tregti të lirë, ide përmendur fillimisht javën e kaluar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të nevojitej mbështetja e shumicës së vendeve të BE-së – 15 prej 27 shteteve anëtare që përfaqësojnë të paktën 65 për qind të popullsisë së BE-së.
Diplomatët e Bashkimit Evropian i thanë agjencisë “Reuters” se propozimet nuk pritet ta kenë mbështetjen e nevojshme, pasi shumë gjëra varen nga Gjermania, e cila deri më tani ka ngurruar që t’i vendosë masa ndëshkuese të BE-së Izraelit./Nacionale