Komisioni Evropian e kritikon Serbinë për politikën e jashtme, Malin e Zi për ngecje të reformave
Komisioni Evropian të mërkurën i kritikoi politikën e jashtme dhe politikën e sigurisë të Serbisë, përfshirë deklaratat për Rusinë, ndërsa vlerësoi se reformat e Malit të Zi për anëtarësim në BE kanë ngecur në masë të madhe.
Sipas Komisionit Evropian, “Serbia e vazhdoi zbatimin e reformave të ndërlidhura me pranim në BE, përfshirë fushën e sundimit të ligjit”, por “amendamentime të mëtejme do të jenë të nevojshme për të qenë plotësisht në vijë me acquis-in e BE-së dhe me standardet evropiane”, raporton gazeta “The Guardian”.
Komisioni e theksoi edhe nevojën që Beogradi të rreshtohet me politikën e jashtme evropiane – përshirë çështjen e qasjes ndaj Rusisë.
“Serbia duhet ta përmirësojë, si çështje prioriteti, rreshtimin e saj me politikën e jashtme dhe të sigurisë të përbashkët të BE-së, përfshirë masat kufizuese dhe deklaratat për Rusinë”- thuhet në vlerësim.
Komisioni gjithashtu e vuri në pah se “punë dhe përkushtim politik i mëtejmë nevojiten për zbatimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit”.
Aty u përmend edhe zbatimi i detyrimeve nga Serbia dhe Kosova, për të cilat u tha se janë pjesë kyçe për rrugën evropiane të të dyja vendeve.
“As Serbia, as Kosova nuk e kanë filluar zbatimin e detyrimeve të tyre përkatëse, të cilat janë të detyrueshme për palët dhe pjesë kyçe e rrugëve të tyre evropiane”- tha Komisioni Evropian.
Komisioni tha se në Mal të Zi, “progresi në reformat për pranim në BE ka ngecur në masë të madhe” dhe se ky shtet “ka vuajtur nga polarizimi i thellë dhe jostabiliteti politik”.
“BE-ja e mirëpret konstituimin e kuvendit të ri dhe formimin e qeverisë, të cilat presim ta tregojnë shpejt kapacitetin dhe përkushtimin e tyre ndaj rrugës së Malit të Zi për në BE dhe të japin rezultate në reformat e lidhura me pranimin në BE”- thuhet për fqinjin perëndimor të Kosovës.
