Komandanti ukrainas: Trupat po mbajnë një pjesë të Pokrovskit, por janë tërhequr nga disa pozicione
Trupat ukrainase kanë qenë duke mbajtur disa pjesë të qytetit të rrethuar Pokrovsk nga mesi i nëntorit, por disa njësite janë urdhëruar që të tërhiqen nga pozicionet e papërshtatshme jashtë qytetit gjatë javës së fundit, citohet të ketë thënë të martën komandanti i ushtrisë ukrainase.
“Ne po vazhdojmë që ta mbajmë pjesën veriore të qytetit, përafërsisht deri te hekurudha” – citohet të ketë thënë Oleksandr Syrskyi, sipas raportimit të transmetuesit shtetëror.
“Për më tepër, në perëndim të Pokrovskit ne kemi pastruar dhe kontrollojmë rreth 54 kilometra katrorë” – shtoi ai, transmeton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Para disa ditëve, komandantët rusë pretenduan se trupat e tyre e kishin kapur plotësisht Pokrovskin.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë kishte publikuar një video ku shiheshin ushtarë duke e mbajtur flamurin rus në një shesh. Agjencia “Reuters” konfirmoi se pamja ishte në qendër të qytetit.
Forcat ruse kanë nën kontroll më shumë se 19 për qind të territorit të Ukrainës – vetëm 1 për qind më shumë se dy vjet më parë – edhe pse këtë vit kanë avancuar me ritmin më të shpejtë që nga viti 2022, sipas hartave pro-ukrainase.