Komandanti rus thotë se forcat e tij në Ukrainë po avancojnë “praktikisht në krejt frontet” - NACIONALE

Komandanti rus thotë se forcat e tij në Ukrainë po avancojnë “praktikisht në krejt frontet”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Rusisë, njëkohësisht komandant i forcave ruse në Ukrainë, Gjeneral Valery Gerasimov, i vizitoi të mërkurën poziconet që po mbahen nga trupat e tij në Ukrainë dhe tha se ushtria ruse është duke avancuar në të gjitha frontet, raportoi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, duke thënë se luftimet më të ashpra po zhvillohen përreth qendrës logjistike, Pokrovsk.

Sipas Gerasimovit, trupat ruse janë duke bërë progres në rajonin lindor ukrainas të Donetskut, që është në fokus të konfliktit, si dhe më tej në perëndim në rajonet Zaporizhia dhe Dnipropetrovsk, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Trupat tona në zonën e operacionit special ushtarak [termi që e përdor Rusia për luftën në Ukrainë] janë duke avancuar praktikisht në të gjitha drejtimet” - citohet të ketë thënë Gerasimovi, sipas deklaratës së Ministrisë së Mbrojtjes.

“Dhe luftimet më të ashpra janë duke ndodhur në drejtimin e Krasnoarmeisk-ut” – shtoi ai, duke e përdorur emrin e periudhës sovjetike të qytetit Pokrovsk, “ku armiku, përmes çfarëdo mjeti dhe duke mos i marrë parasysh humbjet, po mundohet pa sukses që t’i ndalë avancimet tona dhe ta kthejë iniciativën”.

Gerasimovi më tej citohet të ketë thënë se ushtria ukrainase “i ka dislokuar njësitet luftarake që janë më së miri të trajnuara dhe më të aftat për të luftuar, duke i marrë ato nga zona të tjera dhe kjo e lehtëson avancimin e trupave tona në sektorë të tjerë”.

Gjatë avancimit të tyre të ngadalshëm në pjesën lindore të Ukrainës, forcat ruse kanë kryer me muaj sulme të rënda në zonat përreth qytetit Pokrovsk të rajonit Donetsk.

Gerasimovi tha se forcat ruse janë duke bërë përparim edhe në kapjen e Kupianskut, qytet kryesisht i shkatërruar në rajonin verilindor ukrainas të Kharkivit, si dhe drejt Yampilit, më në lindje.

Deklaratat e Gerasimovit duket se bien ndesh me përshkrimet e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe zyrtarëve ushtarakë të vendit të tij.

I intervistuar këtë javë nga televizioni “Sky News”, Zelensky tha se pret ofensiva të reja të rusëve, por shtoi se forcat e Moskës kanë gëzuar pak sukses në vijën e frontit gjatë veprimeve të tyre të fundit.

“Në tërësi, unë jam vërtet i kënaqur që tri ofensivat e fundit ruse kanë dështuar, edhe pse ata po planifikojnë dy ofensiva më serioze. Sipas pikëpamjes sime, ky është një sinjal i rëndësishëm” – tha ai.

Një komandant ukrainas tha këtë javë se forcat e tij kishin sprapsur një avancim të rusëve afër Pokrovskut, ndërsa blogu i popullarizuar ushtarak ukrainas, “DeepState”, i cili përdor harta me burim të hapur për t’i përcjellë lëvizjet e trupave, raportoi për suksese të forcave ukrainase në një qytezë afër Pokrovskut.

Një zëdhënës i një njësie ukrainase afër Kupianskut tha të mërkurën se një tentativë e rusëve për avancim drejt kësaj qyteze kishte rezultuar në shumë ushtarë rus të burgosur./Nacionale

Lajme të ngjashme