Komandanti i ushtrisë amerikane pesimist për qëllimin e Izraelit për ta zhbërë Hamasin - NACIONALE

Komandanti i ushtrisë amerikane pesimist për qëllimin e Izraelit për ta zhbërë Hamasin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së ShBA-së, Gjeneral Charles Q. Brown, la të kuptohej të enjten se Izraeli do ta ketë më vështirë që ta shkatërrojë Hamasin, sa më shumë që zgjat fushata ushtarake në Rripin e Gazës dhe sa më shumë civilë që vriten.

Oficeri më i lartë ushtarak i ushtrisë më të fuqishme në botë u pyet nëse është i shqetësuar se rritja e shpejtë e numrit të civilëve të vrarë gjatë luftës së Izraelit kundër Hamasit do t’i shtyjë palestinezët për ta zgjedhur rrugën e terrorit dhe u përgjigj: “Po, shumë.”

“Mendoj se kjo është diçka që duhet t’i kushtojmë vëmendje”- tha ai para gazetarëve gjatë komenteve të para për luftën në Gaza që nga marrja e detyrës së lartë muajin e kaluar, raporton gazeta “The Times of Israel”.

“Për këtë arsye, kur flasim për kohën – sa më shpejt që mund të arrish në një pikë ku i ndal armiqësitë, ke më pak zemërim për popullsinë civile që shndërrohet në dikë që tani dëshiron të jetë anëtari i ardhshëm i Hamasit”- shtoi gjenerali amerikan.

Një zyrtar i lartë izraelit tha se nëse ushtria izraelite detyrohet që të punojë më shpejt, ajo ka më pak kohë për të kryer operacione në mënyrë të saktë dhe në një mënyrë që e kufizon numrin e viktimave civile.

Në komentet e tij, komandanti Brown e cilësoi qëllimin e Izraelit për ta rrëzuar Hamasin “urdhër goxha të madh”, ndërsa pretendoi se fushata ishte e përqendruar në shënjestrimin e udhëheqësisë së lartë të Hamasit, për të cilën mund të arrihet sukses duke vepruar më shpejt.

“Mendoj se sa më gjatë që shkon, aq më vështirë bëhet”- paralajmëroi komandanti i ushtrisë amerikane.

“Secili konflikt në të cilin unë jam përfshirë gjatë tërë karrierës sime ushtarake... ka vazhduar posaçërisht pak më gjatë sesa që e kanë imagjinuar shumica e njerëzve, prandaj duhet ta përgatitim veten për këtë”- tha ai.

Zyrtarë të lartë ushtarakë të ShBA-së i kanë shtyrë homologët e tyre izraelitë që të jenë “më përllogaritës e më të saktë” gjatë sulmeve në Gaza, i tha një zyrtar gazetës “The New York Times”, duke shtuar se Uashingtoni e ka nxitur Izraelin që të përdorë bomba më të vogla, që drejtohen përmes satelitëve.

Lajme të ngjashme