Komandanti: Gjermania do jetë e dyta me më së shumti helikopterë në NATO - NACIONALE

Komandanti: Gjermania do jetë e dyta me më së shumti helikopterë në NATO

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjermania do ta ketë flotën e dytë më të madhe të helikopterëve në NATO, pas furnizimit me 60 helikopterë të tipit “CH-47 Chinook”, për të cilët njoftoi muajin e kaluar se do t’i blejë, citohet të ketë thënë të premten komandanti i Forcës Ajrore të Gjermanisë, Ingo Gerhatz.

Muajin e kaluar, agjencia “Reuters” raportoi se Gjermania do të blejë nga kompania “Boeing” 60 helikopterë “Chinook” me një pako që do të kushtojë deri në tetë miliardë euro, përfshirë infrastrukturën e nevojshme për ta.

“Ne do të jemi vendi i dytë më i madh me helikopterë në NATO pas ShBA-së”- citohet të ketë thënë zyrtari i lartë ushtarak për rrjetin e mediave, RND.

Sipas tij, gati 50 nga helikopterët e rinj do të vendosen në qendrën Holzdorf/Schoenewadle, në pjesën lindore të Gjermanisë, ku do të pozicionohen edhe një mijë ushtarë shtesë.

“Qendra Schoenewalde do të luajë një rol kyç e unik për Forcën Ajrore, për tërë ushtrinë gjermane dhe për sigurinë e Gjermanisë”- tha Gerhatz-i.

Pas fillimit të luftës së Rusisë në Ukrainë, Gjermania ka bërë ndryshime të politikës së mbrojtjes, duke ndarë miliarda euro për blerje të armëve e automjeteve ushtarake.

Lajme të ngjashme