Komandanti britanik paralajmëron për “epokën e tretë bërthamore” - NACIONALE

Komandanti britanik paralajmëron për “epokën e tretë bërthamore”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Komandanti i forcave të armatosura britanike ka paralajmëruar se bota ndodhet buzë “epokës së tretë bërthamore”, e përcaktuar nga shumë sfida të njëkohshme dhe masa mbrojtëse të dobësuara që i kanë mbajtur nën kontroll rreziqet e mëparshme.

Admirali Tony Radakin, shef i stafit të mbrojtjes, tha se Britania duhet ta njohë seriozitetin e rreziqeve me të cilat ballafaqohet, edhe nëse ekziston një mundësi e largët që Rusia të nisë një sulm të drejtpërdrejtë bërthamor kundër Britanisë ose aleatëve të NATO-s, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

“Jemi në agimin e një epoke të tretë bërthamore” – tha ai. “Ajo përcaktohet nga dilema të shumta dhe të njëkohshme, pasurimi bërthamor dhe teknologjitë përçarëse dhe mungesa pothuajse e plotë e arkitekturave të sigurisë që ishin më parë” – paralajmëroi oficeri i lartë ushtarak.

Sipas tij, në mesin e sfidave me të cilat ballafaqohet Perëndimi janë kërcënimi i Rusisë për të përdorur armë bërthamore taktike në Ukrainë, synimi i Kinës për t’i zgjeruar rezervat bërthamore, dështimi i Iranit për të bashkëpunuar në përpjekjet ndërkombëtare për ta kufizuar programin e tij bërthamor si dhe “sjellja e çrregullt” e Koresë Veriore.

Ai e përshkroi dislokimin e trupave të Koresë së Veriut krahas forcave ruse afër kufirit me Ukrainën si “zhvillimi më i jashtëzakonshëm” i vitit dhe paralajmëroi se zhvillime të mëtejme janë të mundshme.

Britania mban të paktën një nëndetëse të armatosur me raketa bërthamore në det gjatë tërë kohës në mënyrë që të jetë e gatshme për t’u kundërpërgjigjur në rast të një sulmi bërthamor.

Qeveria e Britanisë është duke bërë një rishikim strategjik për të përcaktuar se si forcat e armatosura duhet të jenë të furnizuara me staf dhe pajisje për t’iu kundërvënë sfidave të reja. Rezultatet pritet të publikohen në pjesën e parë të vitit të ardhshëm./Nacionale

Lajme të ngjashme