Kolumbia ofron shpërblim rekord për kapjen e rebelit që e fajëson për sulmin me bombë
Ministri i Mbrojtjes i Kolumbisë, Pedro Sanchez, thotë se do të ofrojë shpërblim rekord për ata që ofrojnë të dhëna që do të çonin në kapjen e një udhëheqësi rebelësh i njohur si “Marloni”.
“Marloni”, emri i vërtetë i të cilit është Ivan Jacob Idrobo Arredondo, dyshohet se ka dhënë urdhër për sulmin me bombë të shtunën në Autostradën Panamerikane, ku mbetën të vrarë 20 njerëz, raporton televizioni BBC.
Ky ishte njëri nga sulmet më vdekjeprurëse që kishte në shënjestër civilë dhe vjen vetëm pak më shumë se një muaj para zgjedhjeve presidenciale të planifikuara për datën 31 maj.
Ministri Sanchez tha se shpërblimi prej 5 miliardë pesos (1,4 milion dollarë) për kapjen e “Marlonit” është më i larti që është ofruar ndonjëherë nga shteti kolumbian.
Ai e akuzoi “Marlonin” se qëndron prapa sulmit të së shtunës si dhe prapa disa sulmeve të tjera në provincat Cauca dhe Valle del Cauca, në jugperëndim të Kolumbisë, gjatë fundjavës. Nuk janë publikuar dëshmi ose hollësi.
Në sulmin më vdekjeprurës u vranë 15 gra e pesë burra, kur një mjet shpërthyes u aktivizua në autostradën që i lidh qytetet Cali dhe Popayan, tha guvernatori i provincës Cauca.
Disa autobusë dhe automjete të tjera u shkatërruan nga shpërthimi, i cili krijoi një gropë të madhe.
“Marloni” është pjesë e një grupi të armatosur që drejtohet nga një rebel disident i njohur me nofkën “Ivan Mordisco”, që është njeriu më i kërkuar nga autoritetet kolumbiane./Nacionale