Koloneli Randrianirina betohet si president i Madagaskarit
Kolonel Michael Randrianirina është betuar si presidenti i ri i Madagaskarit disa ditë pasi ushtria e mori nën kontroll udhëheqjen e shtetit ishullor afrikan.
Ai i ndërroi rrobat ushtarake për një kostum me kravatë për ta pasuar presidentin e rrëzuar, Andry Rajoelina, i cili u largua nga vendi pas disa javësh me protesta të udhëhequra nga të rinjtë që po kërkonin më shumë llogaridhënie nga pushteti i tij, raporton televizioni BBC.
Ceremonia e betimit u mbajt në Gjykatën Kushtetuese, në kryeqytetin Antananarivo, ku ishin mbledhur një turmë e madhe njerëzish, përfshirë figurat që i udhëhoqën protestat.
“Dita e sotme shënon një pikë kthese historike për vendin tonë” – deklaroi presidenti i ri, derisa i falënderoi të rinjtë që e kërkuan ndryshimin.
Madagaskari tani futet në një periudhë tranzicioni, e cila do të jetë e mbushur me plot pengesa politike e paqartësi ligjore – edhe ekziston një optimizëm i matur për lidershipin e presidentit të ri.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Florent Rakotoarisoa, e ka kritikuar komunitetin ndërkombëtar për përshkrimin e situatës në këtë shtet si puç.
Sipas tij, nuk ka pasur shkelje të Kushtetutës në Madagaskar dhe, në të vërtetë, e fajësoi pikërisht dokumentin e lartë juridik për përkeqësimin e situatës.
Protestat, të cilat filluan muajin e kaluar, fillimisht u organizuan nga një lëvizje e të rinjve e njohur si “Gen Z Mada” – e zemëruar me mungesën e vazhdueshme të rrymës dhe ujit./Nacionale