Kirgizia e ndalon “TikTok”-un, i përmend efektet ndaj zhvillimit të fëmijëve - NACIONALE

Kirgizia e ndalon “TikTok”-un, i përmend efektet ndaj zhvillimit të fëmijëve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministria e Kulturës e Kirgizisë ka lëshuar një direktivë për bllokimin e aplikacionit “TikTok” brenda këtij shteti, duke i përmendur apelet e OJQ-ve për efektet e kësaj platforme ndaj shëndetit mendor të fëmijëve. Sidoqoftë, ka shqetësim se autoritetet po marrin masa për t’i bllokuar lirinë e të shprehurit dhe rrjedhjen e informatave.

Kjo ministri tha të mërkurën se e kishte udhëzuar Ministrinë e Zhvillimit Digjital që ta zbatojë ligjin e ri, duke marrë parasysh se aplikacionit të famshëm i mungon kontrollimi i përdoruesve, kur bëhet fjalë për fëmijët, raporton Radio “Evropa e Lirë”.

“Duhet të theksohet se TikTok-u i angazhon përdoruesit në një mbretëri virtuale të videove të shkurtra dhe, pas shikimit të këtyre videove, adoleshentët përpiqen që të imitojnë veprime të caktuara që paraqiten në këto video, disa prej të cilave e rrezikojnë jetën e tyre”- tha Ministria e Kulturës.

Përfaqësuesit e “TikTok”-ut nuk reaguan menjëherë për këtë vendim, por më parë kanë thënë se platforma e tyre ka masa sigurie për ta kontrolluar përmbajtjen dhe për t’i mbrojtur të miturit.

Qasja në informata përmes rrjeteve sociale dhe përmes mediave tradicionale është bërë temë e nxehtë në Kirgizi pas një vargu të masave nga autoritetet për të cilat shumë njerëz thonë se e kanë për qëllim shtypjen e lirisë së shprehjes.

Shoqëria civile dhe shtypi ndërkombëtar në Kirgizi kanë qenë ndër më të fuqishmit në Azinë Qendrore, edhe pse gjendja ka ndryshuar për shkak të masave të autoriteteve.

Në listën e organizatës “Reporterët pa Kufij” sa i përket lirisë së mediave, Kirgizia në korrik ra për 50 vende, në pozitën e 122-të, në listën me gjithsej 180 shtete.

Lajme të ngjashme