Montana bëhet shteti i parë i ShBA-së që e ndalon TikTok-un - NACIONALE

Montana bëhet shteti i parë i ShBA-së që e ndalon TikTok-un

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Montana është bërë shteti i parë i ShBA-së që e ka ndaluar aplikacionin e famshëm të videove, TikTok, pasi guvernatori i saj ua ndaloi dyqaneve të aplikacioneve që ta ofrojnë këtë aplikacion brenda shtetit nga viti i ardhshëm.

Ky vendim është në mesin e masave më dramatike në një varg veprimesh kundër TikTok-ut në ShBA. Aplikacioni i famshëm është pronë e kompanisë kineze të teknologjisë, “ByteDance”. TikTok-u është vëzhguar me kujdes për shkak të dyshimeve për lidhje me autoritetet kineze, pas shqetësimit se lidhjet e tilla mund të përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare, raporton gazeta “The Guardian”.

Qeveria federale dhe më shumë se gjysma e shteteve të ShBA-së e kanë ndaluar këtë aplikacion në pajisjet qeveritare dhe administrata e Presidentit Biden ka kërcënuar se do ta ndalojë atë në tërë vendin, nëse pronarët nuk i shesin aksionet e tyre.

Kompania më parë ka mohuar se i ka ndarë ndonjëherë të dhënat me qeverinë kineze dhe ka thënë se as nuk do të bënte një gjë të tillë, nëse i kërkohet.

Përmes një deklarate, TikTok-u tha se projektligji i Montana-s “përbën shkelje ndaj të drejtave të amendamentit të parë të popullit të Montana-s përmes ndalimit të paligjshëm të TikTok-ut” dhe se kompania synon që “t’i mbrojë të drejtat e përdoruesve tanë brenda e jashtë Montana-s”.

TikTok-u është njëri ndër aplikacionet më të popullarizuara të rrjeteve sociale në botë me mbi 100 milionë përdorues në ShBA. Ka pyetje se si do të zbatohej ndalimi i aplikacionit dhe si do të prekeshin përdoruesit e tij nga ky vendim.

Sipas ligjit të ri në Montana, i cili do të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2024, ndalohet shkarkimi i TikTok-ut në këtë shtet dhe gjoba për çfarëdo “entiteti” – ndonjë dyqan aplikacionesh ose vetë TikTok-u – që ia mundëson shkarkimin e aplikacionin dikujt, do të gjobitet me nga 10 mijë dollarë në ditë. Në dënime nuk përfshihen përdoruesit e aplikacionit.

Lajme të ngjashme