Kina reagon ashpër, pasi Bideni e quajti Jinpingun diktator: Ekstremisht absurde - NACIONALE

Kina reagon ashpër, pasi Bideni e quajti Jinpingun diktator: Ekstremisht absurde

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kina u kundërpërgjigj të mërkurën, pasi presidenti amerikan, Joe Biden, iu referua si diktator homologut të tij kinez, Xi Jinping, duke thënë se komentet ishin absurde dhe provokim. Kjo është një përplasje e papritur menjëherë pas përpjekjeve të të dyja palëve për uljen e tensioneve.

Komentet e Bidenit erdhën vetëm një ditë pas vizitës së sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, në Pekin për t’i stabilizuar marrëdhëniet dypalëshe, për të cilat Kina thotë se janë në pikën më të ulët që nga themelimi i lidhjeve zyrtare.

Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Kinës tha se komentet e Bidenit ishin “ekstremisht absurde” dhe “të papërgjegjshme”, raporton agjencia “Reuters”.

Duke e shprehur pakënaqësinë e thellë të Kinës, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Mao Ning, tha se komentet e Bidenit i shkelin seriozisht faktet, protokollin diplomatik dhe dinjitetin politik të Kinës.

“Ato janë një provokim i hapur politik”- tha ajo në një konferencë për gazetarë.

"Arsyeja pse Xi Jinpingu u bë shumë i zhgënjyer për atë se kur unë e rrëzova balonën me dy kuti plot pajisje spiunimi në të, ishte që ai nuk e dinte se ajo ishte aty”- tha Bideni gjatë një tubimi për grumbullim të fondeve në Kaliforni të martën.

“Ky është një turpërim i madh për diktatorët, kur ata nuk ditën se çfarë ndodhi. Ajo nuk duhej të shkonte aty ku ishte. U largua nga drejtimi”- shtoi presidenti amerikan.

Kur u pyet se sa i vetëdijshëm kishte qenë presidenti kinez për lëvizjet e një balone që u rrëzua para disa muajve në ShBA, zëdhënësja e përsëriti shpjegimin e mëparshëm të Kinës se kalimi i balonës nëpër hapësirën ajrore amerikane kishte qenë i paqëllimshëm dhe se ishte shkaktuar nga rrethana që ishin përtej kontrollit të autoriteteve kineze.

Lajme të ngjashme