Bideni e quan Jinpingun diktator një ditë pas vizitës së Blinkenit në Pekin - NACIONALE

Bideni e quan Jinpingun diktator një ditë pas vizitës së Blinkenit në Pekin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka quajtur diktator homologun e tij kinez, Xi Jinping, dhe tha se presidenti kinez ishte shumë i turpëruar, kur një balonë e vendit e tij u rrëzua mbi qiellin e ShBA-së këtë vit.

Bideni e bëri këtë koment një ditë pas vizitës së sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, në Kinë, qëllimi i së cilës ishte ulja e tensioneve mes dy vendeve, raporton gazeta “The Guardian”.

“Arsyeja pse Xi Jinpingu u bë shumë i zhgënjyer për atë se kur unë e rrëzova balonën me dy kuti plot pajisje spiunimi në të, ishte që ai nuk e dinte se ajo ishte aty”- tha Bideni gjatë një tubimi për grumbullim të fondeve në Kaliforni të martën.

“Ky është një turpërim i madh për diktatorët, kur ata nuk ditën se çfarë ndodhi. Ajo nuk duhej të shkonte aty ku ishte. U largua nga drejtimi”- shtoi presidenti amerikan.

Bideni tha se Kina “ka vështirësi reale ekonomike”. Ekonomia e Kinës ngeci në maj, pasi parashikimet për rritje të prodhimit industrial dhe të shitjes me pakicë nuk u arritën, duke e përforcuar përshtypjen se Pekini do të duhet të bëjë më shumë për ta mbështetur rimëkëmbjen jostabile ekonomike pas pandemisë.

Banka Botërore këtë muaj parashikoi që rritja e ekonomisë amerikane për vitin 2023 të jetë 1,1 për qind, më shumë se dyfish më shumë se parashikimi prej 0,5 për qind në janar, ndërsa rritja ekonomike e Kinës pritet të jetë 5,6 për qind, dukshëm më shumë se niveli prej 4,3 për qind i parashikuar në janar.

Blinkeni dhe Jinpingu u pajtuan në takimin e tyre të hënën për ta stabilizuar rivalitetin intensiv mes Uashingtonit dhe Pekinit në mënyrë që ai të mos shndërrohet në konflikt, por dështuan që të arrinin ndonjë marrëveshje të rëndësishme gjatë një vizite të rrallë në Kinë nga sekretari i Shtetit.

Ata u pajtuan që të vazhdohet angazhimi diplomatik me më shumë vizita nga zyrtarë amerikanë gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm. Bideni tha më vonë të martën se emisari amerikan për klimën, John Kerry, mund ta vizitojë Kinën së shpejti.

Lajme të ngjashme