Kina ia kthen “Boeing”-ut aeroplanin e ri, u bë shumë më i shtrenjtë shkaku i taksave - NACIONALE

Kina ia kthen “Boeing”-ut aeroplanin e ri, u bë shumë më i shtrenjtë shkaku i taksave

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një aeroplan i prodhuar nga kompania “Boeing” dhe i caktuar për një kompani ajrore kineze u kthye në fabrikën e prodhuesit në Shtetet e Bashkuara të dielën. Aeroplani ishte viktimë e taksave të vendosura nga presidenti amerikan, Donald Trump, të cilat nxitën më pas masa hakmarrëse nga Pekini.

Aeroplani i tipit “737 Max”, i cili duhej të bëhej pjesë e flotës së kompanisë ajrore kineze, “Xiamen Airlines”, aterroi në fushën e “Boeing”-ut në Seattle në orën 18 e 11 minuta, sipas një dëshmitari të agjencisë së lajmeve “Reuters”. Aeroplanit tashmë i ishin vendosur në trup shkronjat e kompanisë kineze, raporton gazeta "The Guardian".

Ky aeroplan, i cili aterroi në Guam dhe Hawaii gjatë fluturimit prej tetë mijë kilometrash për t’u rimbushur, ishte njëri nga disa aeroplanët e llojit “737 Max” – modeli më i shitur i kompanisë “Boeing” – që ishte duke pritur në qendrën e kompletimit “Zhoushan” të prodhuesit amerikan për punën përfundimtare dhe dërgesën te blerësi.

Trumpi këtë muaj i çoi në 145 për qind taksat ndaj produkteve të importuara nga Kina. Pekini u kundërpërgjigj me 125 taksë ndaj mallrave amerikane.

Pranimi i një aeroplani të prodhuesit “Boeing” nga kompanitë ajrore kineze mund të goditet nga taksat, duke marrë parasysh që një aeroplan i tipit “737 Max” ka vlerë të tregut prej rreth 55 milionë dollarësh, sipas kompanisë konsultuese të aviacionit, IBA.

Ishte e paqartë se cila palë e mori vendimin që aeroplani të kthehej në Shtetet e Bashkuara. Kompanitë “Boeing” dhe “Xiamen” nuk u ishin përgjigjur kërkesave të agjencisë “Reuters” për koment deri në kohën e publikimit të lajmit.

Hutia rreth taksave që po ndryshojnë mund të lërë në ngërç dërgesa të shumë aeroplanëve. Disa shefa ekzekutivë të kompanive ajrore thonë se ata do ta shtynin pranimin e aeroplanëve e nuk do t’i paguanin tarifat shtesë, sipas analistëve./Nacionale

Lajme të ngjashme