Kina dërgon luftanije në Paqësor, kaluan afër Japonisë
Një grup i luftanijeve kineze lundruan nëpër ngushticat afër Japonisë për të arritur në pjesën perëndimore të Oqeanit Paqësor këtë javë. Pekini të premten e kritikoi miratimin e strategjisë së re të sigurisë në Japoni, që e vendos këtë vend në pozicion më sulmues – kryesisht si rezultat i kërcënimit të perceptuar nga Kina.
Luftanijet shkatërruese “Lhasa” dhe “Kaifeng” si dhe një anije për furnizim lundruan nëpër Ngushticën e Osumit, në jug të Japonisë, ndërsa një anije vëzhgimi e tipit “Dongdiao” lundroi nëpër Ngushticën Myiako. Të gjitha anijet arritën në Paqësorin Perëndimor të enjten, raporton agjencia “Associated Press”, përcjell gazeta “Nacionale”.
Ministria e Mbrojtjes e Japonisë tha se anijet kineze janë përcjellë për së afërmi nga anijet dhe aeroplanët japonezë gjatë lundrimit të tyre.
Gazeta e Partisë Komuniste të Kinës, “Global Times”, të premten citoi ekspertë të paspecifikuar të kenë thënë se ky mision “dërgoi një sinjal në kohën e lëvizjeve të fundit ushtarake të Japonisë”, që do t’i shfaqë “kapacitetet [e ushtrisë kineze] për ruajtjen e sovranitetit kombëtar, integritetit territorial e interesave të zhvillimit të Kinës”.
Kina në mënyrë rutinore dërgon luftanije nëpër ngushticat mes ishujve japonezë, edhe pse e kundërshton praninë e anijeve të forcave detare të shteteve të huaja në Ngushticën e Tajvanit. Të gjitha këto zona janë ujëra ndërkombëtare.
Muajin e kaluar, disa aeroplanë bombardues strategjikë të Rusisë dhe të Kinës fluturuan mbi Detin e Japonisë dhe mbi Detin e Kinës Lindore gjatë një misioni 8-orësh në një shfaqje të lidhjeve gjithnjë më të ngushta në fushën e mbrojtjes mes dy shteteve.
E ballafaquar me sfida nga Koreja Veriore, Kina dhe Rusia, Japonia të premten miratoi një strategji kombëtare të sigurisë me të cilën i shpalli planet për të pasur aftësi për sulme parandaluese e raketa me vetëdrejtim brenda disa vjetëve.
Në këtë strategji, Kina quhet “sfida më e madhe strategjike” për përpjekjet e Japonisë për sigurimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit për veten dhe shoqërinë ndërkombëtare.
Politika japoneze pas Luftës së Dytë Botërore i jepte përparësi rritjes ekonomike, ndërsa sigurinë e mbante të lehtë, duke u mbështetur në trupat amerikane të vendosura në Japoni sipas marrëveshjes dypalëshe për sigurinë.
Sidoqoftë, ekspertët thonë se ndikimi në rritje i Kinës, pushtimi rus i Ukrainës dhe frika nga ndonjë urgjencë në Tajvan kanë bindur shumë japonezë që ta përkrahin rritjen e shpenzimeve dhe të kapaciteteve.
Japonia planifikon që të shpenzojë 5 trilionë jenë (rreth 37 miliardë dollarë) për të pasur të gatshme raketa të prodhimit të huaj nga viti 2026, përfshirë raketat “Tomahawk”, përderisa kompania japoneze “Mitsubishi Heavy Industries do të zhvillojë një raketë me vetëdrejtim anti-anije.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Wang Wenbin, i përsëriti akuzat se Japonia “po i shpërfill faktet, po devijon nga angazhimi i saj për marrëdhëniet Kinë – Japoni dhe nga mirëkuptimi i përbashkët mes dy vendeve, dhe po e njollos Kinën pa bazë”.
