Kina dërgon 9 aeroplanë në Ngushticën e Tajvanit, paralajmërim për presidenten Tsai - NACIONALE

Kina dërgon 9 aeroplanë në Ngushticën e Tajvanit, paralajmërim për presidenten Tsai

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nëntë aeroplanë kinezë e kaluan vijën mesatare të Ngushticës së Tajvanit të premten, duke kryer patrulla për gatishmëri luftarake, tha Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit, disa ditë pasi Pekini kërcënoi me masa hakmarrëse, nëse presidentja Tsai Ing-wen takohet me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Kevin McCarthy.

Kina, e cila e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj, është zemëruar nga ajo që e sheh si rritje të përkrahjes së ShBA-së për Tajvanin. Presidentja Tsai arriti në ShBA të mërkurën, duke bërë një ndalesë rrugës për në Amerikën Qendrore, raporton agjencia “Reuters”.

Ajo pritet të takohet me MCCarthy-n në Los Angeles gjatë kthimit në Taipei në prill, ndërsa Kina të mërkurën kërcënoi me masa të pasaktësuara të hakmarrjes, nëse ndodh ky takim.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se nëntë aeroplanë kinezë kaluan në veri, qendër dhe jug të vijës mesatare të ngushticës, e cila ka shërbyer si kufi jozyrtar mes dy palëve.

Forcat e armatosura të Tajvanit u kundërpërgjigjën përmes përdorimit të aeroplanëve e anijeve për ta vëzhguar situatën përmes parimit të “moseskalimit të konflikteve ose shkaktimit të mosmarrëveshjeve”- thuhet në deklaratën e kësaj ministrie.

“Dislokimi i forcave të ushtrisë komuniste qëllimisht krijoi tension në Ngushticën e Tajvanit, jo vetëm duke i minuar paqen e stabilitetin, por edhe ka ndikim negativ ndaj sigurisë rajonale e zhvillimit ekonomik”- thuhet më tej në deklaratë.

Gjatë qëndrimit në ShBA, Tsai e fajësoi Kinën për rritjen e tensioneve. “Kina qëllimisht i rrit tensionet, por Tajvani gjithmonë përgjigjet me kujdes e qetësisht, në mënyrë që bota të mundë të shohë se Tajvani është palë e përgjegjshme në marrëdhënie rajonale”- tha ajo.

Lajme të ngjashme