Kimi i Koresë i vlerëson lart ushtarët që bënë vetëvrasje për ta shmangur kapjen në Ukrainë
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i ka vlerësuar lart ushtarët që kanë kryer vetëvrasje gjatë luftimeve kundër forcave ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë, duke konfirmuar një politikë ekstreme në fushën e betejës.
Vlerësohet se Koreja e Veriut ka dërguar rreth 14.000 trupa për të luftuar përkrah forcave ruse në Kursk. Zyrtarë nga Koreja e Jugut, Ukraina dhe vendet perëndimore thonë se koreanët kanë pësuar shumë në njerëz dhe se mbi 6.000 ushtarë të tyre janë vrarë gjatë luftimeve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sipas disa dëshmive, përfshirë ato nga raportet e inteligjencës dhe rrëfimet e dezertorëve, ushtarët koreanoveriorë e kanë zgjedhur hedhjen e vetes në ajër ose forma të tjera të vetëvrasjes në vend të kapjes nga forcat armike.
Në një fjalim drejtuar zyrtarëve rus dhe familjeve të ushtarëve në një ceremoni për nderimin e trupave, Kimi për herë të parë e përmendi vendimin e tyre, duke i cilësuar si “heronj”, sipas një transkriptimi të publikuar nga media shtetërore e Koresë së Veriut, KCNA, të hënën.
“Nuk janë vetëm heronjtë që pa ngurrim e zgjidhën rrugën e vetëshkatërrimit dhe vetëvrasjes për ta mbrojtur nderin e madh, por edhe ata që ranë gjatë mësymjes në ballë të frontit të betejave të sulmit” – tha ai, duke shtuar se edhe të mbijetuarit janë patriotë.
Sipas vlerësimit të inteligjencës së Koresë së Jugut, në këmbim të dërgimit të trupave dhe municionit në Rusi, Koreja e Veriut ka marrë asistencë ekonomike dhe të teknologjisë ushtarake nga Rusia.