Kimi i Koresë e uron Putinin, thotë se Rusia do të triumfojë kundër forcave armike
Udhëheqësi i Koresë Veriore, Kim Jong Un, ka thënë se Rusia do të triumfojë kundër atyre që i quajti imperialistë, raportoi të martën agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA. Kjo deklaratë shihet si e drejtuar nga Ukraina dhe përkrahësit e saj perëndimorë, si Shtetet e Bashkuara.
Koreja Veriore ka ndërtuar lidhje të ngushta me Kremlinin dhe e ka përkrahur Moskën pas fillimit të pushtimit të Ukrainës, përfshirë pretendimin e Rusisë se ka aneksuar disa pjesë të Ukrainës, veprim i cilësuar si i paligjshëm nga shumica e anëtareve të OKB-së, raporton agjencia “Reuters”.
“Ne ju dërgojmë dëshira të ngrohta, ushtrisë ruse dhe popullit të Rusisë për luftën e shenjtë për ta ruajtur paqen e botës”- citohet të ketë shkruar Kimi në një letër dërguar presidentit rus, Vladimir Putin.
Udhëheqësi korean e uroi Putinin për përvjetorin e Ditës së Fitores, kur festohet fitorja kundër Gjermanisë naziste më 1945, duke thënë se Rusia do të vazhdojë që t’i mbrojë “autonominë” dhe “stabilitetin e rajonit”.
