Kidnapohen të paktën 32 njerëz derisa po prisnin trenin në Nigeri
Të paktën 32 njerëz janë kidnapuar në një stacion treni në jug të Nigerisë, kanë thënë autoritetet.
Mes atyre që u kidnapuan kishte edhe pjesëtarë të stafit por edhe pasagjerë që po e prisnin trenin.
Forcat e sigurisë, të ndihmuar nga njerëz lokalë, kanë nisur një operacion kërkim-shpëtimi për viktimat.
Ka pasur shqetësime në rritje për sulmet në këtë vend. Incidenti i fundit vjen një muaj para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale ku tema kryesore e fushatave është siguria.
Raportimet thonë që të shtunën një numër i madh njerëzish të armatosur me kallashnikovë (AK-47), kishte gjuajtur në ajër derisa po hynin në stacionin e Iguebenit para se të kidnaponin udhëtarët dhe stafin duke i çuar në pyllin e afërt.
Disa prej të kidnapuarve ia kishin dalë mbanë që të iknin të lënduar. Një grua me një foshnjë po ashtu kishte thënë se kishte ikur në një lagje fqinje ku edhe ishte shpëtuar.
Kidnapuesit po ashtu i kishin lëshuar dy fëmijë sepse “besohej që ndjenin se fëmijët po ua ngadalësonin lëvizjet,” – tha një banor lokal.
Zëdhënësi i qeverisë në shtetin e Edos, Chris Osa Nehikhare, tha që shumë njerëz kishin nisur të përdorurnin trenët pasi rrugët lokale ishin bërë zona të rrezikshme me “haraçe të mëdha që po mblidheshin nga familjet e viktimave (të kidnapuara)”.
Incidentet e kidnapimit për haraç, si ato të njerëzve me armë që shënjestronin komunitete të caktuara për arsye politike, kanë qenë në rritje në vitet e fundit në Nigeri.
Në muajin dhjetor, shërbimi hekurudhor që lidhte kryeqytetin, Abujan, me qytetin verior Kadunan, vazhdoi nëntë muaj pasi nëntë pasagjerë kishin vdekur gjatë një sulmi me armë. Shumë të tjerë ishin marrë si pengje dhe udhëtari i fundit ishte lëshuar në muajin tetor.
Pasiguria është një prej temave kyçe në fushatën elektorale ku një pasardhës për presidentin Muhammadu Buhari do të zgjidhet.
Raportim i BBC, përkthyer nga Nacionale.
