Kharkivi nën bombardime të rënda, por ukrainasit thonë se po përparojnë në lindje të tij - NACIONALE

Kharkivi nën bombardime të rënda, por ukrainasit thonë se po përparojnë në lindje të tij

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sipas zyrtarëve rajonalë, qyteti verilindor i Ukrainës, Kharkiv, pësoi një tjetër ditë të bombardimeve të rënda.

Oleg Synegubov, kreu i administratës rajonale të Kharkiv, tha në Telegram se ka pasur granatime në pjesën qendrore të qytetit dhe njoftoi për të paktën 20 persona të plagosur, 5 të vrarë dhe disa ndërtesa banimi të dëmtuara.

Ndërsa, Ihor Terekhov, kryetari i qytetit, tha se zonat e banuara u sulmuan në mëngjes dhe raketat u hodhën në qendër të qytetit pasdite.

Terekhov tha se rusët nuk kishin hequr dorë nga "përpjekjet për të shkatërruar popullatën civile të Kharkivit, për të krijuar panik në qytet dhe për të thyer shpirtin tonë. Megjithatë, vullneti i Kharkivit, vullneti i ne ukrainasve, nuk mund të dëmtohet nga armiku. Sot, u binda për këtë kur pashë se si një mjek mbuloi një grua të plagosur gjatë granatimeve”.

Duke shkruar në kanalin e tij Telegram, Terekhov tha se forcat ruse "vazhdojnë të bombardojnë qytetin me furi. Prandaj, ju bëj thirrje përsëri, nëse është e mundur, të qëndroni në strehimore dhe stacionet e metrosë."

Shërbimet Shtetërore të Emergjencave thanë të dielën pasdite se, "18 adresa në Kharkiv u goditën si rezultat i bombardimeve të armikut në pjesën qendrore të qytetit. Apartamentet në katin e katërt dhe të pestë në një ndërtesë pesëkatëshe u dogjën," duke shtuar se 160 zjarrfikës dhe 33 njësi pajisjesh ishin përfshirë në shuarjen e zjarreve.

Ndërkohë, Synegubov tha se pavarësisht sulmeve, forcat ukrainase po i shtynin rusët në lindje të qytetit, duke pretenduar se janë çliruar disa fshatra në juglindje të Kharkivit.

Nëse këto të dhëna janë të vërteta dhe përparimet e Ukrainës në lindje të Kharkiv-it janë të qëndrueshme, përpjekjet ruse për të rifurnizuar forcat që janë mbledhur në Ukrainën lindore për një ofensivë në Donbas mund të pengohen. Kujtojmë se edhe javën e kaluar forcat speciale ukrainase shkatërruan një urë e cila ishte një rrugë furnizimi në jug të Kharkivit.

Lajme të ngjashme