Khamenei: Trumpi le të vazhdojë të ëndërrojë se sulmet e ShBA-së i shkatërruan qendrat bërthamore - NACIONALE

Khamenei: Trumpi le të vazhdojë të ëndërrojë se sulmet e ShBA-së i shkatërruan qendrat bërthamore

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha të hënën që presidenti amerikan, Donald Trump, le të “vazhdojë të ëndërrojë”, nëse mendon që sulmet ajrore amerikane të qershorit i kanë shkatërruar qendrat bërthamore iraniane.

Khamenei gjithashtu e refuzoi ofertën e presidentit amerikan për rinisjen e bisedimeve bërthamore, të cilat ishin ndërprerë kur Izraeli e sulmoi Iranin më 13 qershor, duke çuar në luftën 12-ditore gjatë së cilës Trumpi urdhëroi sulme të pashembullta ndaj Iranit, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

“Presidenti i ShBA-së thotë me krenari dhe ata e bombarduan dhe e shkatërruan industrinë bërthamore të Iranit. Shumë mirë, vazhdo të ëndërrosh” – tha Khamenei në komentet e publikuara në uebfaqen e tij.

“Trumpi thotë se është bërës i marrëveshjeve, por nëse një marrëveshje shoqërohet nga detyrimi dhe rezultati i saj është i paracaktuar, kjo s’është marrëveshje, por imponim dhe bullizim. Çfarë ka të bëjë me Amerikën se a ka Irani objekte bërthamore apo jo? Këto ndërhyrje janë jo të duhura, të gabuara dhe detyruese” – shtoi Khamenei.

Komentet u publikuan me titullin “Komentet e presidentit të ShBA-së në Palestinë: një përpjekje për t’i nxjerrë zionistët nga dëshpërimi”, duke iu referuar fjalimit të Trumpit në Kuvendin e Izraelit në Jerusalem të hënën e kaluar, pasi Hamasi i liroi 20 pengjet e fundit të gjalla nga Gaza si pjesë e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga ai.

Gjatë fjalimit të tij, Trumpi e përsëriti pretendimin e vet, i cili është sfiduar nga inteligjenca amerikane, se sulmet e ShBA-së i kanë shkatërruar objektet kyçe bërthamore të Iranit. Ai gjithashtu tha se do të ishte e mrekullueshme, nëse Uashingtoni do të mund të negocionte një “marrëveshje të paqes” me Teheranin pas fillimit të armëpushimit në Gaza./Nacionale

Lajme të ngjashme