Khamenei thotë se Irani e aleatët s’do të sprapsen nga Izraeli
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha të premten se vendi i tij dhe aleatët rajonalë nuk do të sprapsen nga Izraeli, pas një sulmi në Bejrut që mendohet se në shënjestër e kishte figurën që mund ta zëvendësojë udhëheqësin e vrarë të Hezbollahut, Hassan Nasrallah.
“Rezistenca në rajon nuk do të sprapset as me vrasjen e udhëheqësve të saj” – tha Khamenei në një paraqitje të rrallë duke i udhëhequr lutjet e së premtes në Teheran, duke e përmendur Nasrallahun në fjalim dhe duke e quajtur sulmin iranian ndaj Izraelit të ligjshëm dhe legjitim, raporton agjencia “Reuters”.
Ai nuk e përmendi zyrtarin e Hezbollahut, Hashem Safieddine, për të cilin është përfolur se mund të jetë pasardhës i Nasrallahut. Reporteri i uebfaqes “Axios”, Barak Ravid, citoi tre zyrtarë izraelitë të kenë thënë se Safieddine ishte vënë në shënjestër në një bunker nëntokësor gjatë natës së kaluar në Bejrut.
Ravidi tha në rrjetin X se fati i Safieddine-s nuk ishte i qartë.
Ushtria izraelite refuzoi që të komentonte, ndërsa as Hezbollahu nuk bëri ndonjë koment për fatin e Safieddine-s. Vëllai i tij, Sayyed Abdallah Safieddine, që është përfaqësues i Hezbollahut në Iran, mori pjesë në fjalimin e Khameneit në Teheran.
Në shënjestër të sulmeve izraelite gjithnjë më shumë kanë qenë objektet mjekësore dhe punëtorët e ndihmave ditëve të fundit. Një sulm të mërkurën vonë goditi një ndërtesë në qendër të Bejrutit që përdorej nga punëtorë shpëtimi të lidhur me Hezbollahun, duke lënë nëntë të vrarë, tha Ministria e Shëndetësisë e Libanit.
Të premten, një sulm Izrael në periferinë jugore të Bejrutit la të vrarë një shpëtues nga njësia e njëjtë, ndërsa një sulm tjetër në qytezën Marjayoun ndodhi afër spitalit kryesor të saj. Stafi mjekësor ka vendosur që të evakuohet përkohësisht, sipas drejtorit të spitalit, Mounes Klakesh./Nacionale