Këshilltarët e Trumpit pranojnë se pakti për paqe në Ukrainë është me muaj larg
Këshilltarët e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, tani pranojnë se lufta në Ukrainë do të marrë muaj ose madje edhe më gjatë për t’u zgjidhur, pranim i mprehtë i realitetit rreth premtimit të tij më të madh në politikën e jashtme – për të arritur një marrëveshje për paqe në ditën e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë.
Dy bashkëpunëtorë të Trumpit, të cilët e kanë diskutuar luftën në Ukrainë me presidentin e zgjedhur, i thanë agjencisë së lajmeve “Reuters” se ata ishin duke shikuar një afat muajsh për ta zgjidhur konfliktin, duke i përshkruar premtimet rreth përfundimit të luftës në ditën e parë të Trumpit në pushtet si kombinim i mburrjes në fushatë dhe mungesës së vlerësimit të cilësisë së pamenaxhueshmërisë së konfliktit dhe kohës që nevojitet për ta plotësuar me staf administratën e re amerikane.
Këto vlerësime përputhen me komentet e emisarit në ardhje të Trumpit për Ukrainën e Rusinë, Keith Kellogg, i cili në një intervistë javën e kaluar tha se do t’i pëlqente që të kishte një “zgjidhje” për luftën brenda 100 ditëve, shumë më larg afatit fillestar të premtuar nga presidenti i zgjedhur.
Prapëseprapë, edhe afati i zgjatur i Kelloggut është “shumë, shumë optimist”, tha John Herbst, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në Ukrainë, tani pjesë e Këshillit të Atlantikut në Uashington.
“Që kjo të funksionojë, Trumpi duhet ta bindë Putinin se në të qenët kokëfortë ka një disavantazh” – tha ish-ambasadori amerikan në Kiev.
Përderisa vijat e sakta të një plani të Trumpit për paqen në Ukrainë ende janë duke u shqyrtuar, këshilltarët e Trumpit në përgjithësi e mbështesin heqjen nga tavolina të mundësisë për anëtarësim të Ukrainës në NATO, të paktën për të ardhmen e parashikueshme, dhe ngrirjen e vijave të tanishme të betejës.
Këshilltarët më të lartë të Trumpit gjithashtu e mbështesin dhënien e garancive materiale të sigurisë për Ukrainën, si krijimi i një zone të demilitarizuar të patrulluar nga trupat evropiane.
Para fitores në zgjedhjet e 5 nëntorit, Trumpi dhjetëra herë kishte deklaruar se do të siguronte një marrëveshje mes Ukrainës e Rusisë në ditën e parë në pushtet, nëse jo më herët.
Në fund të tetorit, megjithatë, ai bëri një ndryshim të lehtë të retorikës së tij dhe filloi të thoshte se do të mund ta zgjidhte luftën “shumë shpejt”.
Që nga zgjedhjet, Trumpi e ka zbutur edhe më tej retorikën, shpesh duke thënë thjesht se do ta “zgjidhë” konfliktin, pa ofruar afat kohor. Ai gjithashtu ka thënë se përfundimi i luftës në Ukrainë do të jetë më i vështirë se arritja e një armëpushimi në Gaza./Nacionale/Nasuf Abdyli