Kërkimet për alpinistët e zhdukur në Marmolada, shpëtuesit gjejnë pjesë trupi e pajisje të ndryshme - NACIONALE

Kërkimet për alpinistët e zhdukur në Marmolada, shpëtuesit gjejnë pjesë trupi e pajisje të ndryshme

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Ndërsa edhe ditën e martë kanë vazhduar kërkimet për alpinistët e zhdukur në akullnajën Marmolada, kërkuesit kanë njoftuar se kanë gjetur pjesë trupi dhe pajisje të ndryshme.

Fillimisht zyrtarët patën frikë se ishin edhe 13 alpinistë të zhdukur, por me pas numri i tyre u reduktua në pesë persona. E duke qenë se kushtet atmosferike penguan kërkimet ditën e hënë, ditën e martë në vendin e shembjes së akullnajës kanë arritur më shumë ekipe për kërkim.

Kujtojmë se të dielën, është shkëputuar një pjesë e madhe e akullnajës duke shkaktuar një ortek të madh i cili la të vrarë të paktën shtatë persona. E ndërsa sot kanë vazhduar kërkimet për te zhdukurit e tjerë, zyrtarët kanë thënë se shpresat për t’i gjetur të gjallë janë shumë të ulëta.

“Duhet të jemi të qartë, gjetja e dikujt gjallë me këtë lloj ngjarjeje është një mundësi shumë e largët, shumë e largët, sepse veprimi mekanik i këtij lloji orteku ka një ndikim shumë të madh te njerëzit,” është shprehur Alex Barattin i Shërbimit të Shpëtimit Alpin.

Ndërsa, Maurizio Dellantonio nga shërbimi, ka njoftuar se në sipërfaqe ekipet kishin gjetur pjesë trupi, pajisje ecjeje dhe veshje, dëshmi e ndikimit të fuqishëm të ortekut tek alpinistët.

Ndërkohë, nga imazhet e siguruara nga Associated Press dukej se terreni ishte ende i paqëndrushëm, duke vështirësuar kështu edhe kërkimet për të mbijetuar.

Lajme të ngjashme