Katzi thotë se banorët e Teheranit do të paguajnë për sulmet e Iranit ndaj civilëve izraelitë - NACIONALE

Katzi thotë se banorët e Teheranit do të paguajnë për sulmet e Iranit ndaj civilëve izraelitë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka thënë se banorët e kryeqytetit iranian, Teheran, do të pësojnë nga hakmarrja për sulmet e Iranit me raketa, të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha në zonat e banimit në Izrael, duke vrarë të paktën 21 njerëz e duke plagosur qindra të tjerë nga e premtja.

“Diktatori arrogant i Teheranit është bërë një vrarës i frikësuar, i cili shtie ndaj frontit civil shtëpiak në Izrael me qëllim që ta frenojë ushtrinë izraelite nga vazhdimi i kryerjes së sulmeve që po i shkatërrojnë kapacitetet e tij” – tha ministri izraelit në deklaratë, qartazi duke iu referuar liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, raporton gazeta “The Times of Israel”.

“Banorët e Teheranit do ta paguajnë çmimin, së shpejti” u zotua Katzi, në atë që u duk si kërcënim për të vënë në shënjestër civilë iranianë.

Në shënjestër të raketave iraniane kanë qenë në mënyrë të përsëritur zona e metrosë së Tel-Avivit, e cila ka popullsi të dendur, si dhe qytetet përreth, që nga fillimi i luftimeve të premten. Në shënjestër ka qenë edhe zona e qytetit Haifa.

Nga sulmet e fundit iraniane ndaj Izraelit natën e kaluar raportohet të jenë vrarë pesë persona. Shërbimi emergjent tha se, përpos të vrarëve, 92 njerëz të tjerë janë lënduar.

Punëtorët e shpëtimit janë duke e vazhduar kërkimin në katër zona të prekura nga sulmet.

Ndërkohë, raportohet se Irani ka ekzekutuar një burrë të shpallur fajtor për spiunim për agjencinë izraelite të inteligjencës, Mossad, sipas raportimit të agjencisë gjysmëzyrtare iraniane të lajmeve, “Fars”.

Burri i ekzekutuar u identifikua si Esmail Fekri. Ky ishte ekzekutimi i tretë në javët e fundit që lidhet me akuzat për spiunim për Izraelin./Nacionale

Lajme të ngjashme