Katër të vrarë e 27 të plagosur nga sulmet ruse në Ukrainë
Katër persona u vranë dhe 27 të tjerë u plagosën nga sulmet ruse në rajonet Donetsk, Kherson dhe Kharkiv të Ukrainës në 24 orët e fundit, sipas guvernatorëve të tyre.
“Për vetëm një ditë, rusët vranë një banor të rajonit Donetsk dhe plagosën 13 të tjerë”- shkroi në rrjete sociale të mërkurën herët guvernatori i Donetskut, Pavlo Kyrylenko.
Sipas tij, një ndërtesë spitali u godit nga një raketë në Druzhkivka, duke shkaktuar pak dëm, raporton agjencia “Anadolu”.
Kyrylenko shtoi se qyteti Avdivka është sulmuar me artileri, duke theksuar se, pavarësisht se nuk pati pasoja në njerëz, ka shkatërrim të infrastrukturës.
Ndërkohë guvernatori i Khersonit, Oleksandr Prokudin, tha të mërkurën herët se një person është vrarë dhe dhjetë të tjerë janë lënduar nga sulmet ruse.
“Gjatë ditës së kaluar, armiku kreu 79 sulme, shkrepi 350 predha nga artileria e rëndë dhe dronët. Armiku e bombardoi qytetin Kherson 12 herë”- tha ai.
Guvernatori shtoi se një treg dhe ndërtesa e një institucioni arsimor janë goditur në qytet, duke shtuar se 52 persona u evakuuan nga territori i çliruar i këtij rajoni.
Në Kharkiv, guvernatori Oleh Synyehubov tha në rrjete sociale se dy trupa janë gjetur gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit në vendin ku ndodhi një sulm ajror rus në qytetin Vovchansk.
Ai tha në një mesazh tjetër se dy ndërtesa banimi, ndërtesat e fermave dhe një treg në Vovchansk janë goditur nga sulmet ajrore.
Sipas të dhënave më të reja të Kombeve të Bashkuara, nga lufta mes Rusisë dhe Ukrainës deri më tani janë vrarë 8.534 civilë e janë plagosur 14.370 të tjerë.

