Katër muaj para zgjedhjeve, kandidatëve për president të Perusë do t’u jepen jelekë antiplumb
Autoriteti zgjedhor në Peru do t’u japë jelekë antiplumb kandidatëve për president të vendit para zgjedhjeve që pritet të mbahen në prillin e vitit të ardhshëm pas një vargu të sulmeve ndaj politikanëve atje.
Roberto Burneo, kryetari i Jurisë Kombëtare të Zgjedhjeve, e njoftoi këtë vendim të martën dhe tha se ka frikë që zgjedhjet e vitit tjetër do të jenë më të dhunshme se fushata e vitit 2021, kur ishin regjistruar rreth 50 ngjarje të dhunshme, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ajo që ne e duam është që t’i parandalojmë dhe t’i identifikojmë rreziqet. Asnjë përpjekje nuk duhet të kursehet, edhe nëse kjo nënkupton që të shkohet në ekstremin e përdorimit të jelekëve antiplumb” – tha ai.
Sipas Burneos, me pajisje të tilla mbrojtëse do të furnizohet edhe stafi zgjedhor. Ishte e paqartë nëse edhe kandidatët për poste më të ulëta do të pajiseshin me jelekë të tillë.
Më 12 prill të vitit të ardhshëm, banorët me të drejtë vote në Peru do t’i zgjedhin presidentin, dy nënpresidentë dhe 190 deputetë në Kuvendin që ka dy dhoma.
Gati 40 parti ose koalicione politike pritet që t’i paraqesin kandidatët e tyre deri më 23 dhjetor, nga 28 sa ishin në zgjedhjet e vitit 2021. Sipas një sondazhi, asnjë kandidat i tanishëm nuk do të marrë më shumë se 10 për qind të votave, ndërsa balotazhi pritet të mbahet më 7 qershor.
Të shtëna pati të martën në drejtim të Rafael Belaundes, kandidat i mundshëm për president i partisë Liria e Popullit, kur ai ndodhej në automjetin e tij në Lima. Belaunde u kundërpërgjigj gjithashtu me të shtëna.