Katër anije të armatosura kineze futen në ujërat që Japonia i cilëson të vetat - NACIONALE

Katër anije të armatosura kineze futen në ujërat që Japonia i cilëson të vetat

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Japonia dorëzoi një protestë kundër Kinës të premten, pasi katër anije të armatosura të rojës bregdetare kineze u futën në ujëra që Tokio i konsideron territor të vetin.

Qeveria japoneze tha se kjo ishte hera e parë që katër anijet kineze që po bartin diçka që dukeshin si topa kishin hyrë në ujërat territoriale japoneze në Detin Lindor të Kinës përreth disa ishujve të kontestuar, që Japonia i quan Senkaku e Kina Diaoyu, raporton agjencia “Reuters”.

“Unë nuk jam në një pozicion për të deklaruar se cilat janë qëllimet e palës kineze, por futja e anijeve që i përkasin rojës bregdetare të Kinës në territorin [tonë] është shkelje e së drejtës ndërkombëtare” – tha në një konferencë për gazetarë sekretari i kabinetit qeveritar, Yoshimasa Hayashi.

Në anën tjetër, roja bregdetare kineze tha se i kishte patrulluar ujërat me anije që bartnin armë, duke shtuar se patrullimi ishte “veprim rutinor” për mbrojtjen e sovranitetit, sigurisë dhe të drejtave detare dhe një “hap i nevojshëm” për paqen e stabilitetin, si dhe për t’iu kundërvënë “lëvizjeve negative” të Japonisë rishtazi.

“Ne i bëjmë thirrje palës japoneze që të jetë e matur në fjalët dhe veprat e veta, për të reflektuar te vetja dhe për t’i ndalur provokimet” – tha roja bregdetare kineze, duke theksuar se do t’i shtojë ato që i quajti “përpjekje për zbatimin e ligjit”.

Tokio dorëzoi një “protestë të fortë” përmes kanaleve diplomatike, duke bërë thirrje për dalje të shpejtë të anijeve kineze nga ajo zonë, tha Hayashi. Sipas tij, anijet qëndruan në zonë për më shumë se një orë dhe u larguan pak pas mesditës.

Lajme të ngjashme