Kanadaja thotë se ministri indian Shah qëndron prapa komploteve për vrasje - NACIONALE

Kanadaja thotë se ministri indian Shah qëndron prapa komploteve për vrasje

1 vit më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kanadasë të martën akuzoi se ministri i Punëve të Brendshme i Indisë, Amit Shah, aleat i ngushtë i kryeministrit indian, Narendra Modi, qëndron prapa komploteve për të vënë në shënjestër separatistë të komunitetit Sikh në territorin kanadez.

Qeveria indiane nuk u kundërpërgjigj menjëherë, por i ka hedhur poshtë akuzat e mëhershme të Kanadasë, duke i cilësuar si të pabaza dhe duke mohuar çfarëdo përfshirjeje, raporton agjencia “Reuters”.

Gazeta “The Washington Post” raportoi e para se disa zyrtarë kanadezë dyshojnë se ministri Shah, i konsideruar si numri dy i Qeverisë së Indisë, qëndron prapa një fushate të dhunës dhe frikësimit, në shënjestër të së cilës janë separatistët e komunitetit Sikh në Kanada.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kanadasë, David Morrison, tha të martën në një panel parlamentar se ai i ka thënë gazetës amerikane që ministri Shah qëndron prapa komploteve.

“Gazetari më telefonoi dhe më pyeti nëse ai (ministri Shah) ishte personi. Unë konfirmova se ai ishte personi” – tha Morrisoni në komision, pa dhënë hollësi të mëtejme ose dëshmi. Komisioni i Lartë i Indisë në Otavë dhe Ministria e Jashtme e Indisë nuk patëm koment të menjëhershëm.

Ministria e Punëve të Brendshme e Indisë i drejtoi pyetjet te Ministria e Jashtme e këtij shteti.

Një burim qeveritar indian i tha agjencisë “Reuters” në New Delhi të mërkurën se Kanadaja i tregoi Indisë për rolin e dyshimtë të ministrit Shah në komplote rreth tetorit të vitit të kaluar.

Megjithatë, India mendon se informata është shumë e dobët dhe nuk pret që ajo të shkaktojë ndonjë problem për Shahun ose Qeverinë, thanë ky burim dhe një burim tjetër qeveritar.

India i ka quajtur separatistët e komunitetit Sikh “terroristë” dhe kërcënim ndaj sigurisë së saj. Ata kërkojnë një atdhe të pavarur të njohur si Khalistan, që do të ndahej nga territori i Indisë. Dhjetëra mijëra njerëz ishin vrarë gjatë kryengritjeve në Indi në vitet e tetëdhjeta e nëntëdhjeta./Nacionale

Lajme të ngjashme