Kanadaja po përgatitet për kthimin e Trumpit, Trudeau: Ai përfaqëson pasiguri
Qeveria e Kanadasë është duke u përgatitur për mundësinë që ish-presidenti amerikan, Donald Trump, të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë dhe për “pasigurinë” që do ta sillte kjo ngjarje, tha të martën kryeministri kanadez, Justin Trudeau.
Duke folur në një takim të kabinetit qeveritar, Trudeau tha se Trumpi “përfaqëson pasiguri. Ne nuk dimë saktësisht se çfarë do të bëjë ai.” Kryeministri kanadez shtoi se qeveria ia kishte dalë që ta menaxhonte Trumpin më parë, duke dëshmuar se Kanadaja e ShBA-ja mund të sjellin rritje ekonomike në të dyja anët e kufirit, raporton agjencia “Associated Press”.
Kabineti i kryeministrit Trudeau ka qenë duke diskutuar në Montreal për zgjedhjet presidenciale amerikane të këtij viti.
“Ne ia dolëm mbanë me sfidat e paraqitura nga administrata e Trumpit para shtatë vjetëve, ku e paraqitëm faktin se Kanadaja dhe ShBA-ja e bëjnë më së miri, kur e bëjnë së bashku”- tha Trudeau.
Ambasadorja e Kanadasë në ShBA, Kirsten Hillman, dhe një panel ekspertësh po i flisnin kabinetit për të përgatitur një strategji. Trudeau tha se ministrat e tij të Industrisë dhe Tregtisë do ta udhëheqin “qasjen e Ekipit të Kanadasë” me komunitetin e biznesit.
Kur ishte president, Trumpi e kishte quajtur kryeministrin kanadez “të dobët” e “të pasinqertë” dhe e kishte sulmuar tregtinë jetike të vendit fqinj. Ai kishte kërcënuar se do t’i vendoste Kanadasë taksa ndaj veturave dhe i kishte vendosur taksa ndaj çelikut. Toni i pashembullt kundër njërit prej aleatëve më të ngushtë të Uashingtonit kishte lënë shije të hidhur dhe shumica e kanadezëve ishin ndier të lehtësuar pas humbjes së Trumpit në zgjedhjet e vitit 2020.
“Qoftë për sulmet e tij ndaj bujqve në mbarë Kanadanë, qoftë për sulmet e tij ndaj punëtorëve të çelikut e aluminit, ose qoftë për vendosmërinë e tij për ta zhbërë marrëveshjen e tregtisë së lirë me Meksikën dhe Kanadanë, ne ia dolëm që të qëndronim të fuqishëm dhe ta rinegocionim NAFTA-n. Kjo ishte e vështirë”- tha kryeministri Trudeau.
Kanadaja është njëra nga shtetet më të varura nga tregtia dhe lëvizja e Trumpit për ta zhbërë Marrëveshjen Veriamerikane për Tregti të Lirë dhe thirrja për vendosjen e një takse prej 25 për qind ndaj sektorit të automjeteve përbënin rrezik ekzistencial. Më shumë se 75 për qind e eksporteve të Kanadasë shkojnë në ShBA.
Nelson Wiseman, profesor i shkencave politike në Universitetin e Torontos, tha se qeveria e Trudeaus është në ankth për mundësinë që Trumpi të kthehet në pushtet.
“Përderisa ka pak gjasa që Trumpi ta zhbëjë marrëveshjen e rishikuar lehtas, NAFTA, të cilën qeveria e tij e kishte negociuar, një qeveri amerikane më mbrojtëse do të ishte kërcënim i madh për ekonominë kanadeze, sepse dy të tretat e tregtisë së Kanadasë është me ShBA-në”- tha ai.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli