Kamioni e nxjerr nga binarët vagonin, disa të vdekur në Hungari
Disa persona kanë vdekur, pasi një kamion u përplas me një tren në jug të Hungarisë të martën herët, duke i nxjerrë vagonët nga binarët, tha policia hungareze.
Në këtë aksident ka edhe disa të lënduar. Aksidenti ndodhi në një kryqëzim të një rruge me hekurudhën në Mindszent, afër kufirit me Serbinë, pak para orës 5 të mëngjesit, shtoi policia.
“Përpjekjet për shpëtim janë duke vazhduar ende, prandaj nuk mund ta përcaktojmë numrin e viktimave”, tha një zëdhënës i policisë.
Një uebfaqe hungareze e lajmeve tha se shtatë persona kanë vdekur në këtë aksident. Faqja gjithashtu publikoi fotografi të një vagoni të kthyer anash dhe të një helikopteri të ambulancës e disa autoambulanca në vendin e ngjarjes.

Kompania shtetërore e hekurudhave tha se treni, që po lëvizte nga Kiskunfelegyhaza për në Hodmezovasarhely, është përplasur me një kamion, dhe një vagon me 22 pasagjerë ka dalë nga binarët. Kompania tha se dy pasagjerë janë lënduar rëndë dhe tetë të tjerë më lehtë.
Sipas kompanisë së hekurudhave, kamioni kaloi mbi binarë duke i injoruar dritat e kuqe në kryqëzim.