“Kam epërsi goxha substanciale”: Trumpi pret që fituesi të shpallet natën e zgjedhjeve - NACIONALE

“Kam epërsi goxha substanciale”: Trumpi pret që fituesi të shpallet natën e zgjedhjeve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në një bisedë telefonike me korrespondentin e televizionit “ABC News”, Jonathan Karl, kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të dielën se ai ka “epërsi goxha substanciale” dhe parashikoi se fituesi do të dihej në natën e zgjedhjeve.

Korrespondenti Karl e pyeti ish-presidentin nëse ekziston ndonjë mënyrë në të cilën miliarderi do të mund t’i humbte zgjedhjet, raporton televizioni “ABC News”.

“Po, mendoj, e dini. Mendoj se do të mund të humbnit, mund të humbni. Dua të them, kjo ndodh, apo? Por unë mendoj se kam një epërsi goxha substanciale, por, do të mund të thoshit, po, mund të humbni. Gjëra të këqija do të mund të ndodhnin. E dini, gjërat ndodhin, por do të jetë interesante” – tha republikani që ka premtuar se do t’i japë fund shpejt luftës së Rusisë në Ukrainë, madje pa u vendosur ende në Shtëpinë e Bardhë, nëse i fiton zgjedhjet e së martës.

Sa i përket kohës se kur do t’i drejtohet popullit rreth rezultatit të zgjedhjeve, Trumpi tha: “Do të dal në kohën e duhur.”

Ish-presidenti foli me reporterin Karl pas një dite tjetër rraskapitëse në fushatë, që përfundoi pak para mesnatës të shtunën.

“Nuk mendoj se ndokush e ka bërë ndonjëherë orarin tim [të ngjeshur në fushatë] më parë. Gjëja e madhe është, a mund të mbijetojë zëri?” – tha Trumpi.

Ai shtoi: “Askush nuk e ka bërë ndonjëherë atë që e kam bërë unë dhe ato janë tubime të mëdha e entuziazëm i jashtëzakonshëm.”

Duke e cituar kompaninë e sondazheve me seli në Brazil, “AtlasIntel”, që veten e paraqet si “më e sakta” më 2020, Trumpi tha se ai ka epërsi në të gjitha shtatë shtetet kyçe të garës.

Zgjedhjet presidenciale në ShBA mbahen të martën, më 5 nëntor. Sipas sondazheve, gara mes republikanit Trump dhe demokrates Kamala Harris pritet të jetë shumë e ngushtë dhe fituesi mund të vendoset në një numër të vogël shtetesh.

Harrisi mbajti fjalim në Michigan, ku jetojnë qindra mijëra myslimanë dhe ku premtoi se do të bënte “gjithçka që është në fuqinë e saj” për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

Lajme të ngjashme