'Ka mundësi të shihet me sy': Kometa e gjelbër i afrohet tokës për herë të parë në 50 mijë vjet
Një kometë e gjelbër me shkëlqim duket se është nisur nga hapësirë e jashtme drejt tokës për herë të parë në 50,000 vjet, dhe mendohet se mund të qëndrojë afër planetit përreth një muaj.
Sipas zyrtarëve të NASA-s, ky vizitor i akullt, është parë për herë të parë në mars të vitit 2022, ndërsa ende ishte brenda orbitës së Jupiterit.
Ata kanë bërë të ditur, se nga e enjtja kometa mund të shihet nga hemisfera veriore me dylbi dhe duket si një dritë e vogël e gjelbër. Shkencëtarët po ashtu kanë njoftuar se më 2 shkurt, kometa do të jetë më afër tokës.
"Kometat janë jashtëzakonisht të paparashikueshme, por nëse kjo vazhdon trendin e saj aktual në shkëlqim, do të jetë e lehtë të dallohet," - ka shkruar NASA në fillim të këtij muaji, duke shtuar se ka mundësi që të shihet edhe me sy të lirë, nën qiellin e errët.
Sipas Shoqërisë Planetare, në atë pikë kometa do të jetë vetëm 42 milionë kilometra larg planetit tonë.
Më tej, kjo shoqëri ka shtuar se për vëzhguesit në hemisferën veriore pa teleskop, kometa do të duket si një "njollë e zbehtë dhe e gjelbër në qiell", ndërsa ata që kanë një teleskop mund të shohin bishtin dramatik të dukshëm të saj.
"Një shkëlqim i gjelbër i ndezur do të jetë i dukshëm për vëzhguesit në hemisferën veriore në qiellin e mëngjesit ndërsa kometa lëviz në veriperëndim gjatë muajit janar. Ata në hemisferën jugore do të jenë në gjendje ta dallojnë atë në shkurt," – ka njoftuar NASA.
Megjithatë, NASA ka shtuar se kjo kometë nuk pritet të sjellë pamje aq spektakolare sa kometa NEOWISE e vitit 2020 - e cilësuar edhe si kometa më e ndritshme e dukshme nga hemisfera veriore që nga viti 1997.
Mundësinë për ta parë këtë kometë, NASA e ka cilësuar si “të mrekullueshme për të krijuar një lidhje personale me një visitor të akullt nga sistemi i largët diellor”.
Ndërkohë, Shoqëria Planetare, ka thënë se kometës i duhen rreth 50,000 vjet për t’u rrotulluar rreth diellit, kështu që "një mundësi për ta parë atë do të vijë vetëm një herë në jetë".

